PS: Jo rroga 10 mijë dollarë për Komisionerët e Vetting-ut, ulim shpenzimet

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës organikën dhe pagat e tre Komisioneve të Vetting-ut. Kjo organikë, e paraqitur nga PS thuajse përgjysmoi organikën e tre komisioneve, ashtu si edhe pagat e krerëve të tyre, të cilët për shkak të vështirësisë së punës kishin kërkuar rroga prej rreth 10 mijë dollarësh në muaj. Vendimi u kundërshtua fort jo vetëm nga komisionerët, por edhe nga PD dhe LSI me arsyetimin se kjo cënon pavarësinë e Komisioneve dhe ul eficencën e tyre.
“Po e reduktuat, e çuat në këtë numër strukturën e Kolegjit të Apelimit, unë mendoj se ju po cënoni pavarësinë, po cënoni procesin efikas të punës së Kolegjit të Apelimit. Është normale, jemi të gjithë koshientë se çfarë kërkohet në ligj, çfarë kërkohet këtu e çfarë keni sjellë ju”,tha Natasha Mulaj, Kryetare e Kolegjit të Apelit.
Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Komision thanë se pagat dhe organikat e tre Komisioneve duhet të ngrihen në bazë të legjislacionit në fuqi, duke ruajtur edhe një raport të pranueshëm të kostove financiare. Ata thanë se janë shkurtuar kryesisht shoferët e komisionerëve të Vetting-ut, shërbim i cili do të mbulohet nga Garda e Republikës, e cila do jetë përgjegjëse edhe për sigurinë e tyre fizike.
“Ne jemi për një pagë nën 10 milionë lekë për një anëtar të komisionit të pavarur të kualifikimit. Flasim tani hapur dhe për publikun? Pra, kërkohet që një komisioner publik të marrë 10 milionë lekë të vjetra në muaj, këshilltarët të marrin 80% të pagës së komisionerit publik, por jo me këtë shtesën, por mbi 3 milionë lekëshin, ndërsa Kolegji i Apelimit ka ardhur këtu dhe kërkon një pagë 11 milionë lekë të vjetra për person në muaj”, tha deputetja e PS, Vasilika Hysi.
Versioni i miratuar dhe i propozuar nga Partia Socialiste uli në 110 persona numrin total të punonjësve, Organika e kërkuar nga vetë tre Komisionet ishte 185 persona, ndërsa një propozim i tretë i ardhur nga PD parashikonte një numër total prej 180 punonjësish.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.