Pse Bankat Qendrore po braktisin dollarin për arin?
Në tre mujorin e parë të vitit, blerjet arit nga bankat qendrore të udhëhequra nga Rusia dhe Kina, kanë qenë më të lartat në gjashtë vjet, ndërkohë që vende të ndryshe kanë filluar të diversifikojnë pasuritë e tyre duke u larguar nga dollari amerikan.
Rezervat globale të arit u rritën në 145.5 ton në tremujorin e parë, duke shënuar një rritje prej 68% nga një vit më parë, tha Këshilli Botëror i Arit. Rusia mbetet blerësi më i madh në kuadër të një faze de-dollarizimi duke reduktuar zotërimet e thesarit të saj në SHBA.
Përveç blerësve të rregullt si Turqia dhe Kazakistani, gjatë këtij tre mujori u shtua dhe Ekuadori për herë të parë që prej vitit 2014 si dhe shtuan rezervat e tyre të arit dhe vende të tjera si Qatari dhe Kolumbia. Blerësit janë kryesisht vende që kërkojnë të reduktojnë varësinë e tyre ndaj dollarit amerikan, dhe zakonisht kanë rezerva ari më të ulëta se sa vendet e Europës Perëndimore.
Ari është rritur me rreth 8% që nga fundi i shtatorit të fundit dhe ishte tregtuar në rreth 1.282 dollarë një onc në Londër të mërkurën. Në anën e ofertës, Këshilli Botëror i Arit ka rishikuar vlerësimet e tij për kontributin e minatorëve artizanal pas një rivlerësimi të ofruesit të tij kryesor të të dhënave, Metals Focus Ltd. Sektori do të përbëjë 15-20% të prodhimit të minierave të arit në botë.
Në vende të tilla si Zimbabve, minatorët në shkallë të vogël përbëjnë më shumë se gjysmën e prodhimit të arit dhe janë një pjesë vitale e ekonomisë. Sipas udhëzimeve të reja të Bullion Market Association në Londër, këta minatorë mund të kenë më shumë vështirësi në shitjen e arit të tyre legjitimisht, pasi disa nga produktet e tyre mund të kategorizohen si “ari i gjakut”, pra produkte jashtë çdo rregulli ose mjedisi sigurie dhe ka të ngjarë të kontribuojë në krime të tilla si puna e fëmijëve dhe skllavëria.
Burimi: Bloomberg
Përshtati Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.