Pse Gjermania e përforcoi ‘lockdown-in’! Shtyhen masat e mëparshme dhe shtohen masa të reja
Prej ditësh u diskutua për shtyrjen e masave kufizuese ndaj koronavirusit. Tani kancelarja Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord për ashpërsimin e rregullave. Gjendja është dramatike, u tha në Berlin.
Në krizën e koronavirusit kancelarja kristiandemokrate Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve vendosën për masa më të rrepta kufizuese: Federata dhe landet do të kufizojnë edhe më tej lirinë e lëvizjes për njerëzit në të ashtuquajturat hotspote.
Sikurse njoftoi në një konferencë shtypi kancelarja pas konsultimeve disa orëshe me krerët e landeve, në rajonet me një incidencë shtatë ditore prej më shumë se 200 raste infektimesh për 100.000 banorë liria e lëvizjes do të jetë e mundur vetëm brenda një segmenti deri në 15 km nga vendbanimi. Përjashtime do të ketë vetëm për arsye të forta.
Gjithashtu është përforcuar edhe më shumë kufizimi i kontakteve: anëtarët e një familjeje lejohen të takohen vetem me një person nga një familje tjetër. Deri tani lejoheshin të takoheshin maksimumi deri në pesë persona nga maksimumi dy familje.
Merkel e quajti këtë “një kthim në rregulloren e marsit”. Kjo është e drejtë, edhe pse për njerëzit një masë e ashpër. Ashpërsimin e masave kufizuese kancelarja e argumentoi me mutacionin e ri të koronavirusit, që shkakton më shumë infeksione për kontakt, si dhe me mbingarkesën e pavioneve të reanimacionit nëpër spitale. Disa spitale janë përballur me “situata në limite”.
“Kufizimet aktuale do të jenë në fuqi deri më 31 janar, shkollat dhe kopështet e fëmijëve deri atëherë do të jenë „në përgjithësi” të mbyllura. Më 25 janar kryeministrat e landeve dhe federata do të bëjnë një rivlerësim të situatës dhe do të konsultohen për masat në muajin shkurt. Kryeministri i Bavarisë, kristiansociali Markus Söder tërhoqi vëmendjen, për të mos pasur iluzione, se në shkurt do të jetë tejkaluar kjo situate” shkruan DW.
Baden-Vyrtemberg ndjek tjetër kurs
Landi i Baden-Vyrtembergut e ka lënë ende të hapur zbatimin e disa masave. Kufizimet e lëvizjes së lirë brenda segmentit 15 km nga vendbanimi në hotspotet e infeksioneve me koronavirusin tani për tani nuk janë planifikuar, deklaroi kryeministri i landit nga partia ambientaliste Winfried Kretschmann.
Për këtë do të vendoset javën e ardhëshme pasi të jenë paraqitur shifrat e plota. Nga shifrat aktuale do të varet nëse do të hapen ose jo nga 18 janari kopështet e fëmijëve dhe shkollat fillore.
Këshilla e ekspertëve
Merkel dhe Söder si dhe kryebashkiaku qeverisës i Berlinit, socialdemoktrati Michael Müller vunë në dukje, që një ditë më parë ka pasur një konsultë me ekspertët. Mbi bazën e vlerësimeve shkencore u konsultuan të martën (05.01) politikanet dhe politikanët në Berlin.
Fillimisht kufizimet ishin vendosur deri më 10 janar. Por gjatë ditëve të fundit pati konsensus të gjerë për shtyrjen e masave. Edhe përfaqësuesit e mjekëve patën tërhequr vëmendjen nga një zbutje e shpejtuar e masave.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.