Pse kërkohet shtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme deri në fund të marsit? Relacioni
Qeveria shqiptare ka propozuar në Kuvend shtyrjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Afati i kërkuar nga qeveria është 31 marsi i vitit 2020.
Por cilat janë arsyet që u mor një vendim i tillë?
Përsa i përket kohëzgjatjes maksimale të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, neni 174, i Kushtetutës, parashikon një periudhë maksimale 30-ditore, në bazë të së cilës është shpallur gjendja e fatkeqësisë, që në rastin konkret është krijuar nga tërmeti i datës 26.11.2019.
Ligji i mbrojtjes civile parashikon se gjendja e fatkeqësise natyrore kalon në disa faza, të cilat fillojnë me ndodhjen e fatkeqësisë natyrore, vijon me fazat e kërkim-shpëtimit, verifikimin e pasojave dhe fazën finale të rregullimit të pasojave nëpërmjet rindërtimit.
“Duke pasur parasysh se gjatë 30 ditëve të para pas tërmetit të datës 26.11.2019 përfundoi faza e kërkim-shpëtimit dhe filloi faza e verifikimit, përfundimi i fazës së verifikimit, hartimi dhe zbatimi i masave afatshkurtra të rregullimit të pasojave me qëllim sigurimin e jetës dhe të shëndetit të individëve është baza e nevojës për zgjatje të afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë.
Duke pasur, gjithashtu, parasysh se lekundjet e tërmetit ndonëse me frekuencë dhe intensitet më të ulët vazhdojnë të ndihen në qarqet e përmendura, veprimtaria e strukturave operacionale dhe nevoja e marrjes së masave në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore është emergjente, si në ditët e para të marrjes së masës” shkruhet në relacionin e nismës.
Konkretisht, vetëm gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore:
– strukturat operacionale dhe drejtuesit e tyre (Ushtria, policia, zjarrfikësit, emergjenca mjekësore) janë në dispozicion të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.
– mund të vendosen dhe të zbatohen masa të jashtëzakonshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë, si ndaj institucioneve publike, qendrore dhe vendore, ashtu edhe ndaj privatëve përfshire edhe gjoba në rast të moszbatimit të këtyre masave;
– kryhet zyrtarisht apeli për asistencë, drejtuar organizmave ndërkombëtarë dhe shteteve të tjera, kërkesat e specifikuara për nevojat për asistencë dhe raportet periodike të situatës për Qendrën Europiane të Koordinimit të Emergjencave, për Qendrën Euroatlantike të Koordinimit të Përgjigjes për Fatkeqësitë;
– mediat dhe organet e tjera të informimit publik janë të detyruara t’u referohen burimeve zyrtare për njoftime lidhur me numrin e viktimave, listën e emrave dhe të parashikimeve të mëtejshme për mundësinë e ndodhjes së ngjarjeve të tjera, duke shmangur transmetimin e informacioneve sensitive, si dhe duke mos krijuar panik te publiku, në asnjë rast;
– autoritetet mund të vendosin gjoba nga 100 000 (njëqind mijë) – 500 000 (pesëqind mijë) lekë ndaj bashkive, subjekteve private dhe shtetasve nëse nuk përmbushin detyrimet.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.