Pse lufta në Ukrainë sjell telashe për udhëtimet dhe turizmin në mbarë botën?!

Ky duhej të ishte një vit rikuperimi për një industri udhëtimesh të goditur rëndë nga pandemia globale e koronavirusit. Por pushtimi rus i Ukrainës mund ta ketë ndryshuar këtë. Pas dy vitesh udhëtime të ndërprera për shkak të kufizimeve gjithnjë në ndryshim të Covid-19, linjat ajrore dhe operatorët turistikë po përgatiten sërish për qiell të mbyllur, anulime dhe një re pasigurie mbi udhëtimet ndërkombëtare.
Më shumë se 30 vende deri më tani kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore ndaj Rusisë, me Moskën që ka reaguar në të njëjtën mënyrë. Autoriteti i Aviacionit Civil të Rusisë njoftoi se ka mbyllur hapësirën e tij ajrore për transportuesit e të paktën 37 vendeve që nga e marta. Hapësira ajrore mbi Ukrainën, Moldavinë dhe pjesë të Bjellorusisë gjithashtu mbetet e mbyllur. Në terma afatshkurtër kjo do të thotë anulime fluturimesh ose devijime të rrugëve ajrore. Por pasojat afatgjata për industrinë e udhëtimeve mund të jenë shumë më të gjera. Ja pse:
Rritja e kostove të karburantit do të rrisë çmimet e udhëtimit
Çmimet globale të naftës së papërpunuar u rritën në më shumë se 110 dollarë për fuçi të mërkurën, pasi investitorët kanë frikë se eksportet ruse të energjisë do të kufizohen ose do të ndalen si rezultat i konfliktit në Ukrainë. Këto rritje të çmimeve do ta bëjnë çdo lloj udhëtimi më të shtrenjtë. Të shoqëruara me rrugë ajrore potencialisht më të gjata që kanë nevojë për më shumë karburant, pasi ato anashkalojnë hapësirën e mbyllur ajrore ruse, çmimet më të larta përfundimisht do të duhet t’i kalojnë konsumatorit.
Një rritje e çmimeve mund të çojë në një kërkesë më të ulët – dhe kjo paraqet një lajm të keq për një industri që tashmë po përpiqet të kompensojë humbjet e lidhura me pandeminë, për të mos përmendur inflacionin.
Frika nga mungesa sigurisë mund të dobësojë kërkesën
Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Europian, e njohur si EASA, ka paralajmëruar për një “rrezik të lartë” për avionët civilë që fluturojnë pranë kufirit ukrainas. Hapësira ajrore mbi Rusinë, Bjellorusinë, Poloninë, Sllovakinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Moldavinë është gjithashtu në listën e rrezikut.
EASA dyfishoi madhësinë e zonës së paralajmërimit rreth Ukrainës të Premten, nga frika se “raketat me rreze të mesme do të depërtojnë në hapësirën ajrore të kontrolluar”. Agjencia shtoi, “në veçanti, ekziston rreziku i synimit të qëllimshëm dhe i keqidentifikimit të avionëve civilë”. Për shumë udhëtarë dhe ekuipazh tashmë të trembur nga shqetësimet e koronavirusit, ideja për të fluturuar kudo pranë një zone konflikti mund të jetë e tepërt.
Covid-19 ekziston ende dhe kriza e refugjatëve mund ta përkeqësojë atë
Ne jemi ende duke jetuar mes një pandemie globale me kufizime specifike të udhëtimit dhe karantinës për një vend. Organet e udhëtimit u kishin bërë thirrje qeverive të heqin kufizimet e udhëtimit të lidhura me Covid-19 pasi shoqëritë e vaksinuara shpresonin për një lloj kthimi në “normalitet”. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se kushtet në terren në Ukrainë dhe kriza e refugjatëve do ta bëjnë më të lehtë përhapjen e koronavirusit.
Efektet e një përhapjeje të mundshme të virusit në vendet fqinje mund t’i bëjnë qeveritë më pak të prirura për të lehtësuar kufizimet e Covid-19, gjë që do të mbajë presionin mbi industrinë e udhëtimeve.
Humbja e të ardhurave nga turizmi
Sipas Shoqatës së Operatorëve Turistik të Rusisë (ATOR), rusët bënë më shumë se 10.1 milionë udhëtime të lidhura me turizmin jashtë vendit në vitin 2021. ATOR i tha agjencisë shtetërore të lajmeve ruse se 46.5% e fluksit total turistik në 32 shtete të hapura ishte në Turqi, me Turistët rusë bënë 4.7 milionë udhëtime në vend vitin e kaluar.
Gjithçka ndryshoi me Rusinë që i bëri luftë fqinjit të saj. Destinacionet që pësuan shkallën më të lartë të anulimit të menjëhershëm gjatë periudhës 24-26 shkurt ishin Qipro (300%), Egjipti (234%), Turqia (153%), MB (153%), Armenia (200%) dhe Maldivet ( 165%), tregojnë të dhënat nga kompania. Mungesa e turistëve rusë do t’i japë një goditje të madhe atyre destinacioneve turistike të varura shumë.
Dhe, në një tjetër goditje të mundshme për vendin, Organizata Botërore e Turizmit po mban një takim urgjent të këshillit ekzekutiv javën e ardhshme për të vendosur nëse do të pezullojë anëtarësimin dhe pjesëmarrjen e Rusisë në organizatë.
Askush nuk e pëlqen pasigurinë
Nga investitorët te udhëtarët, askush nuk e pëlqen pasigurinë. Lufta në Ukrainë ka rritur pasigurinë nëse mbylljet e porteve dhe vonesat e transportit detar do të kufizojnë dërgesat e çdo gjëje, nga gruri te nafta e papërpunuar deri te vaji i gatimit.
Aksionet e udhëtimit po shohin gjithashtu rënien e çmimeve të aksioneve të tyre. International Consolidated Airlines Group, pronar i British Airways, humbi 5% në shkurt. Aksionet e Lufthansa-s kanë rënë me 14% që kur forcat ruse hynë në Ukrainë, me linjën ajrore britanike EasyJet që ka paraqitur një pamje të ngjashme.
Pasiguria mbi atë që ndodh më pas në konflikt po i bën njerëzit të mendojnë dy herë për planet e planifikuara ose ekzistuese të udhëtimit.
Sigurisht që pushimet e planifikuara nuk janë aspak të krahasueshme me gjendjen e popullit ukrainas dhe fatkeqësinë e madhe humanitare që po shpaloset përgjatë kufijve të tij tani, por ndikimi që pushtimi rus i Ukrainës mund të ketë në një industri tashmë të brishtë të udhëtimit është ajo që mund të ndihet shumë në të ardhmen. CNN
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.