Pse po e lufton Barcelona turizmin?

Barcelona është duke e bërë të qartë se turistët nuk janë më aq të mirëpritur sa ishin dikur, kryebashkiaku i Barcelonës Ada Colau paraqiti një “Plan strategjik për turizmin 2020” i cili ka për qëllim “qeverisjen e turizmit”, me fjalë të tjera frenimin e praktikave që ndikojnë negativisht vendasit, si rritja e çmimeve apo bllokimi i rrugëve.
Edhe pse turizmi është pjesë jetike për ekonominë e një vendi, ku në rastin konkret sjell 14 % të të ardhurave vjetore, ka sjellë gjithashtu rritjen e çmimeve të pronave duke i dëmtuar vendasit dhe dyqanet kyçe në favor të hoteleve dhe kurtheve turistike.
Për të luftuar rritjen e çmimeve të pronës, Barcelona do të fillojë të aplikojë normat më të larta të tatimit mbi pronën apo apartamentet për pushime, si dhe qyteti nuk do të japë më licenca për apartamente të reja pushimesh.
Lufta e Barcelonës mbi turizmin e tepërt do të zbatohet edhe për udhëtimet njëditore që vijnë nga jashtë qytetit. Qyteti po planifikon të rrisë çmimet e vendeve të parkimit për autobusët e turistëve e cila çon drejtpërsëdrejti në rritjen e çmimit të biletës. E gjithë kjo lëvizje për të luftuar turizmin po vjen si pasojë e presionit që ushtruan vendasit, ku mijëra vendas protestuan për numrin e lartë të turistëve në vend.
Viola Hydi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.