Pse po rikthehen dyqanet e vogla, në vend të supermarketeve
Të bërit pazar deri në vitet ’50 ishte një detyrë sfiduese, pasi oferta dominohej nga dyqane të vogla të specializuara, të cilat ofronin një varietet të limituar mallrash. Pra, ishin të ndarë më vete dyqanet e frutaperimeve, ato të bulmetit, të mishit, të ushqimeve të paketuara, të ushqimeve të ngrira dhe këtu nuk po përmendim mallrat e tjerë.
Kjo gjë ndryshoi kur u hapën supermarketet e parë në vitet 1960 dhe filluan të ofronin më shumë zgjedhje me çmime më të ulëta.
Por, gjatë viteve të fundit rrjetet e mëdha të supermarketeve kanë investuar së tepërmi në dyqanet e vogla. Në Britaninë e Madhe, sipërfaqja mesatare e dyqaneve të një prej rrjeteve, Sainsbury, ka rënë nga 2 mijë metra katrorë në vitin 2008, në vetëm 1750 metra katrorë sot.
Ndërsa në Shtetet e Bashkuara, numri i dyqaneve të vogla filloi të rritej sërish në vitin 2011. Walmart, një specialist në hipermarkete, zbuloi në Mars dyqanin e parë të vogël dhe planifikon të hapë të tjerë.
Por pse po rikthehen dyqanet me pakicë?
Pjesërisht është si rezultat i krizës financiare. Në një përpjekje për të reduktuar sasinë e ushqimit të hedhur, blerësit po blejnë gjithmonë e më shpesh në dyqane të vogla ose online, në vend që të bëjnë shpenzime të mëdha javore nëpër supermarkete.
Shpenzimi për vizitë në katër rrjetet më të mëdha të supermarketeve në Britani ka rënë me 5% gjatë vitit të fundit.
Megjithatë ky trend nuk shpjegohet vetëm me forcën ekonomike. Dyqanet e vogla kanë përshpejtuar ritmin në fund të recesionit si në Britani ashtu edhe në Amerikë, në vend që të ngadalësonin si pasojë e rekuperimit të ekonomisë.
Një ndikim e kanë patur edhe stilet e jetesës në ndryshim. Beqarët dhe të moshuarit, dy grupe që janë duke u shtuar në proporcion me popullsinë në vendet perëndimore, preferojnë të bëjnë pazar në dyqane të vogla.
Edhe blerësit që punojnë me kohë të plotë thonë se preferojnë dyqanet e vogla pasi janë më të lehtë për t’u naviguar kur je me nxitim. Dhe ndërsa numri i njerëzve që i jep makinës po fillon gradualisht të ulet mes moshave të reja, shtohen edhe klientët që varen nga dyqanet që gjenden pranë tyre.
Por teksa kthimi i dyqaneve të lagjeve po e bën pazarin më të lehtë për konsumatorët, kjo mund edhe t’u kushtojë më shtrenjtë. Një studim zbuloi se njerëzit që blejnë në dyqane pranë tyre, në fund të muajit shpenzojnë gati dy të tretat më shumë se ata që shkojnë në supermarkete dhe përfitojnë nga uljet.
Edhe pse dyqanet e vogla i ofrojnë produktet më shtrenjtë se dyqanet e mëdha, ata kanë shumë më pak fitim për shkak të kostove të larta të operimit.
Shumë analistë besojnë se trendi drejt rehatisë dhe blerjeve online mund të ngushtojë marzhin e fitimit të hipermarketeve me rreth 50%. Kjo nënkupton më pak fitime për aksionerët e kompanive të mëdha.
Pra rehatia duket se vjen me koston e saj.
Përshtati: Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.