Pse projekti Milot-Balldren kushton 20.1 mld lekë? Reagon ministria: 6 ndryshimet që i janë shtuar variantit që u planifikua në buxhet
Ministria e Infrastrukturës ka shpjeguar arsyet se pse projekti për dhënien me koncesion partneritet publik/privat për “Ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren” ka një vlerë më të lartë nga sa ishte parashikuar në relacionin e buxhetit të shtetit.
“Vlera e shënuar në relacionin e Buxhetit të Shtetit përfaqëson vlerën e parashikuar të kostos së ndërtimit të kësaj rruge në momentin kur është paraqitur idea. Ndërkaq, vlera e vendosur në fondin limit të hapjes së garës për këtë koncesion është 20.1 miliardë lek dhe përfshin brenda saj edhe ndryshimet që ka pësuar projekti për ‘Ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren” njofton ministria.
Ndryshimi i parashikimit të kostove të këtij projekti, ndryshe nga sa ishte parashikuar në buxhet, sipas ministrisë vjen prej faktit se projektit i janë shtuar:
-Ndërtimi i rrugëve sekondare që nuk ishin parashikuar në variantin e parë por të konsideruara të domosdoshme.
-Sjellja në parametrat e kategorisë A të aksit ekzistues si dhe përmirësimi i nivelit, shtimi edhe i korsive të emergjencës në këtë aks.
-Rikonstruksioni i dy urava ekzituese mbi lumin Drin dhe Mat si dhe i të gjitha veprave të artit për ti sjellë edhe ato në parametrat e kësaj kategorie rruge.
-Përmirësimi i parametrave të rrugës në zonën kënetore nga Ura e Drinit deri në hyrje të tynelit dhe i të gjitha nënkalimeve që i shërbëjnë komunitetit.
-Ndriçimi i të gjitha nyjeve hyrëse dhe dalëse që nuk ishin parashikuar në variantin e parë.
-Përmirësimi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale në rrugën ekzistuese sipas Kodit të Bashkimit Europian për rrugë të kategorisë A
“Kosto e parashikuar në fondin limit të hapjes së procedurës përfshin kryerjen e një pakete ndërhyrjesh të reja krahasuar me variantin fillestar ndaj dhe shuma ndryshon nga ajo e shënuar paraprakisht në relacionin e Buxhetit të Shtetit” shpjegon ministria që evidenton se për secilin projekt të Partneritetit Publik Privat në fushën e infrastrukturës rrugore do të merret kompani e huaj e specializuar për të kryer supervizimin dhe çertifikimin e punimeve dhe kostove përkatëse.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.