Pse Rama foli për diplomaci ekonomike?
Henry Kissinger, një ndër arkitektët më të rëndësishëm të diplomacisë moderne, pavarësisht se i shërbeu një presidenti problematik amerikan, ka thënë shprehjen: “Lideri ka për detyrë të dërgojë njerëzit atje ku nuk kanë qenë”. Dhe në fakt diplomacia ekonomike është vendi ku shërbimi i jashtëm shqiptar nuk ka shkelur kurrë. Me një fjalim 25 minutësh, me tone shumë serioze dhe pothuajse pa asnjë batutë, Kryeministri Rama fillimisht kritikoi me shumë të drejtë ekzistencën amorfe të ambasadorëve tanë ndër vite e më pas parashtroi kërkesat e një shteti të zhvilluar kundrejt shërbimit të saj të jashtëm.
Jo vetëm kaq, Rama me shumë të drejtë edhe pse me vonesë, preku arterien bazë të diplomacisë moderne, trajtën ekonomike dhe financiare të saj. Më në fund një shtetar, me fuqinë ekzekutive dhe mundësinë totale për të bërë realitet mendimet e tij, kërkoi nga Ministria e Jashtme dhe ambasadorët e saj të përqendrohen në diplomaci ekonomike. Deri më sot, edhe pse jo pak ministra të Jashtëm dhe krerë selish diplomatike janë njohur dhe trajnuar me këtë koncept, asnjëri nuk e ka praktikuar me sukses.
Aq problem është ky fakt sa çuditërisht këtë punë e kanë kryer vetëm konsujt e nderit, të cilët apriori kanë dhe detyrime të tjera private. Por pse kemi arritur në këtë situatë në këta pothuajse 30 vjet? Është e pashmangshme dhe do isha dashakeq nëse nuk do të kujtoja trajtimin anemik financiar të selive diplomatike shqiptare në botë.
Paga të ulëta, godina të vjetra, numër i kufizuar punonjësish, si dhe elementë njerëzorë thjesht partiakë janë vetëm disa nga arsyet e performancës aspak të mirë të këtij aspekti të shtetit shqiptar. Në qeveritë socialiste funksionale ndërmjet vitit 1998 dhe 2005, përveç disa rasteve të suksesshme si Fatos Tarifa në SHBA, Agim Nesho në OKB, Dashnor Dervishi në Greqi, Bashkim Zeneli në Gjermani, Ylljet Aliçka në Francë apo Agim Fagu në Angli, pjesën tjetër të diplomacisë e kanë kryer ministrat ose kryeministri. Këta të fundit, të cilët normalisht kishin formim të Europës Qendrore dhe Lindore, shqetësim kryesor kishin sigurimin e stabilitetit politik dhe forcimin e demokracisë, aspak krijimin e urave financiare ndërmjet shteteve që përfaqësonin.
Po të ecim më tej, qeveritë Berisha 2005- 2013, edhe pse drejtoheshin nga një kryeministër energjik, përsëri e ndërruan 4 herë ministrin e Jashtëm, duke eliminuar çdo rrjedhë logjike dhe natyrale politikash publike dhe diplomatike. Vijmë në 4-vjeçarin e parë të qeverisë Rama. Duhet thënë se punën më të madhe dhe më të suksesshme diplomatike të kësaj qeverie e ka bërë vetë Edi Rama.
Me kontaktet e kabinetit të afërt të tij, stilin artistik dhe të guximshëm në rastin e sulmeve në Francë, debatet me kancelaritë perëndimore deri në krijimin e Procesit të Berlinit dhe me qasjen totalisht të re drejtuar Serbisë në kontekstin rajonal, Rama ka drejtuar i vetëm diplomacinë politike dhe deri diku ekonomike të Shqipërisë. Në këta 4 vjet Ministria e Jashtme ka qenë pothuajse inekzistente.
Unë nuk mund të them nëse ka qenë faji i pothuaj ishministrit Bushati apo i vetë stafit të tij, por mund të them me bindje se kanë munguar idetë, puna e përkushtuar dhe karizma e nevojshme diplomatike. Për të mos folur për diplomacinë ekonomike, një term që kishte frikë të përfshihej në Ministrinë tonë të Jashtme. Gjithsesi qeveria Rama 2, me insistimin e fundit të Kryeministrit, do të ketë si shtyllë të performancës edhe diplomacinë ekonomike, për herë të parë në Shqipëri.
Por çfarë është diplomacia ekonomike? Pas vitit 2010, ekspertët bien dakord se në mungesë të luftërave, aspekti më i rëndë- sishëm diplomatik është vetë ekonomia. Zyra e Punëve të Jashtme në Angli njoftonte para pak vjetësh se kishte filluar procesi i eliminimit të selive diplomatike tradicionale dhe ngritja e selive të tjera në shtete me ekonomi në zhvillim ku tregjet janë shumë aktive. Në anën tjetër statistikat tregojnë se mbi 90% e kërkesave ndaj ambasadorëve kinezë në botë janë të lidhura vetëm me aspekte financiare. Duke konsideruar këto fakte, në botë kanë lindur dy rryma, të cilat përcaktojnë sjelljen diplomatike ekonomike të shteteve. Cilat janë këto rryma dhe cilët duhet të adoptojë qeveria shqiptare?
E para, e mbështetur nga ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare, është struktura e cila e konsideron diplomacinë ekonomike një zgjatim të diplomacisë klasike. Si e tillë kjo teori përcakton hegjemoninë politike dhe ushtarake si përcaktues të pozicionimit financiar të shteteve e për pasojë kërkon rregullim nga diplomacia ekonomike dhe jo shkundje nga ana e saj. Përsëri në vazhdën e këtij sistemi, diplomacia vepron në kuadrin e hierarkisë ndërmjet politikës së lartë që lidhet me çështjet e sigurisë dhe politikës normale ku futen dhe çështjet ekonomike.
Një tjetër teori, por që i përket së njëjtës rrymë mendimi parashtron shpërndarjen e pushtetit politik ndërmjet shteteve të ndryshme si përcaktuese të kushteve të zhvillimit ekonomik dhe pasurimit të vendeve e jo nismat diplomatike financiare të izoluara. Kjo pasi në një botë gjithnjë e më konfliktuale, shtetet më të fuqishme mund të influencojnë për situata sa më të mira në favor të tyre, për një ndarje ndërkombëtare të punës dhe prodhimit në interes të tyre.
Ky version mbështetet në logjikën se “ekonomia është pjesë dhe një nga elementet e politikës” dhe për pasojë diplomacia ekonomike nuk është gjë tjetër veçse një nga fushat e diplomacisë në kuadrin e marrëdhënieve shtetërore. Rryma vazhdon shpjegimin duke pretenduar se fuqia ekonomike nuk mund të shihet e shkëputur nga fuqia hegjemonike dhe për pasojë nuk mund të ndikojë direkt në strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pra, ndërkohë që diplomacia politike ka për qëllim negocimin permanent të kushteve për sigurinë politike ndërkombëtare, diplomacia ekonomike ka për mision negocimin e kushteve të zhvillimit ekonomik dhe eliminimin e konflikteve me natyrë ekonomike. E dyta është më moderne dhe shumë më e guximshme. Sipas saj nuk pranohet ideja se kapaciteti ushtarak dhe politik i shteteve është vendimtar për të vendosur dhe negociuar rregullat botërore apo lokale kombëtare.
Kjo pasi ky kapacitet përcaktohet nga karakteri dhe shtrirja e aktorëve privatë. Sipas kësaj teorie, shtetet po dobësohen përballë dominimit pa kufij të korporatave dhe aktorëve shumëkombësh, të cilët janë vazhdimisht në kërkim të tregjeve, kapitalit, territorit dhe kostove të ulëta pa u penguar nga pozicioni gjeografik. Pra, në këto kushte relativisht të reja, shtetet dhe qeveritë e tyre janë në konkurrencë të vazhdueshme për të tërhequr këto korporata në territorin e tyre duke u krijuar kushte sa më tërheqëse (e njohur ndryshe si investime të huaja direkte).
Kjo teori e zhvillon dhe peshon më shumë diplomacinë ekonomike duke e konsideruar një trekëndësh me tre skaje:
1. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve
2. Marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe korporatave
3. Marrëdhëniet ndërmjet vetë korporatave.
Pra, nëse shteti do të përfitojë nga ndarja ndërkombëtare e punës dhe investimeve, korporatat duan të maksimizojnë fitimet pavarësisht vendit ku instalohen. Diplomacia ekonomike ka për qëllim të zbulojë disa pika të përbashkëta ndërmjet qëllimeve të dy këtyre aktorëve. Këto janë dy rrymat kryesore të mendimit dhe veprimit shtetar kundrejt diplomacisë ekonomike sot në botë.
Sipas rrymës ato fuqizojnë apo kategorizojnë këtë tip diplomacie, por të dyja e konsiderojnë të pandashëm nga rendi i politikës së jashtme të një shteti. Janë pikërisht politikat e diplomacisë ekonomike ato që ravijëzojnë politikat fiskale, monetare dhe sociale të një qeverie. Janë ato që kushtë- zojnë investimet apo lehtësitë e taksave kundrejt një industrie. Për më tepër diplomacia ekonomike ndihmon një qeveri që të përballet me tre probleme aspak sporadike: Mungesën e rregullave në financat ndërkombëtare, kriminalizimin e një pjese të ekonomisë botërore dhe mungesën e etikës në tregtinë globale.
Deri më sot në Shqipëri kanë qenë kryeministrat të cilët afronin apo largonin investime madhore që vazhdojnë dhe drejtojnë shifrat e INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë. Brenda vitit 2020 do të përfundojnë dy investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri, gazsjellësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit. Këto kanë mbajtur lart deri tani nivelin e IHD-ve në vendin tonë duke u kthyer në kalë beteje në dy fushata të ndryshme elektorale. Alarmi i ngritur nga Rama është më se legjitim dhe kërkon vëmendje maksimale nga ana e ministrit të ardhshëm të Jashtëm dhe vetë ambasadorëve aktualë apo atyre që do të emërohen.
Në mënyrë që Shqipëria të jetë komercialisht krenare, duhet absolutisht që fjalimin e djeshëm, Kryeministri Rama ta kthejë jo vetëm në politikë publike dhe emërim ambasadorësh, por në një qasje konstante në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Nëse do të zgjedhë njërën apo rrymën tjetër, kjo ka pak rëndësi për sa kohë e aplikon me profesionalizëm dhe dashuri kombëtare. Gjithsesi ekziston dhe një rast i veçantë: I vetmi shtet që aplikon njëkohësisht të dyja teoritë është SHBA dhe kjo sqarohet përsëri duke cituar Kissinger: “Amerika nuk ka miq dhe armiq të vazhdueshëm, ajo ka thjesht interesa në kohë të ndryshme”.
Enio Civici
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.