Pse Wikipedia ka frikë nga reforma dixhitale europiane?!
Akti i Shërbimeve Dixhitale në diskutim synon të jetë ligji më i fuqishëm i platformës në botë. Por menaxherët e enciklopedisë online Wikipedia kanë frikë se kjo mund të mbysë komunitete, si ato të tyre, të cilat bazohen në parime të ndryshme.
Që nga dhjetori 2020, institucionet europiane kanë punuar për një çift ligjesh që, të paktën në ambiciet e ligjvënësve, duhet të përfaqësojnë përpjekjen rregullatore më të fuqishme dhe të artikuluar në platformat sociale në botë. Akti i Tregjeve Dixhitale (Dma) synon të sigurojë një shkallë më të madhe konkurrence në tregjet dixhitale europiane, duke parandaluar kompanitë e mëdha të abuzojnë me fuqinë e tyre në treg dhe duke lejuar shfaqjen e lojtarëve të rinj.
Projektligji simotër i tij, Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA), synon të përmirësojë moderimin e përmbajtjes në platformat sociale, përballë një morie përmbajtjesh të paligjshme dhe problematike që hidhen në internet çdo ditë.
Siç shkruan Electronic Frontier Foundation, një nga organizatat më prestigjioze që merret me mbrojtjen e të drejtave dixhitale, “DSA ofron një mundësi të paprecedentë për të rigjallëruar parimet si transparenca, çiltërsia dhe vetëvendosja e informacionit dhe për të formuluar një vizion të guximshëm dhe dëshmi- bazuar për të adresuar disa nga sfidat më të ngutshme të sotme”.
Gjithsesi, projektligji është ende në finalizim dhe teksa mbërrijnë detaje apo propozime të reja nga Brukseli për detyrimet aktuale që duhen përfshirë, kritikat po shumohen.
Më e fundit vjen nga Fondacioni Wikimedia, fondacioni pas Wikipedia, i shqetësuar për disa ndryshime në DSA që po diskutohen këto ditë, të cilat, sipas analizave të tyre, mund të rrezikojnë modelin bashkëpunues dhe jofitimprurës mbi të cilin bazohet enciklopedia pjesëmarrëse. Wired
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.