Publikimi i statistikave – Të dhënat kombëtare në një faqe të përbashkët

INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave njoftuan të martën zhvillimin e Faqes Përmbledhëse të të Dhënave Kombëtare.
Kjo faqe informacioni në internet synon të shërbejë si një qendër publikimi e përgjithshme për statistikat themelore makroekonomike.
Ajo do të përmbajë statistikat e publikuara nga tre institucionet, si prodhues zyrtarë të statistikave në vend.
Përmes kësaj faqeje, Shqipëria do të adoptojë Sistemin e Përmirësuar të Shpërndarjes së të Dhënave të Përgjithshme, sistem i miratuar nga Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Autoritetet e vlerësojnë këtë hap si shumë të rëndësishëm për shpërndarjen e statistikave cilësore.
Publikimi i të dhënave themelore makroekonomike përmes faqes së re do t’u ofrojë grupeve të interesit, përfshirë edhe investitorët dhe agjencitë e vlerësimit, një qasje të lehtë në informacionet që Bordi Ekzekutiv i FMN-së i vlerëson si të rëndësishme për monitorimin e kushteve dhe politikave ekonomike.
Sipas njoftimit zyrtar, marrja e këtij informacioni në format lehtësisht të aksesueshëm do të bëjë që të gjithë përdoruesit do të kenë qasje të njëkohshme tek të dhënat, çka do të sjellë një transparencë më të madhe.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.