Publikohet vendimi për Bursën! AMF: Fillimisht do të tregtohen titujt e qeverisë dhe të shoqërive

Vendimi i së hënës i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të licencuar bursën e parë në Shqipëri, tashmë është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni, ku jepen edhe detaje.
“Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” është themeluar nga tre aksionarë: Credins Bank, me 42.5% të kapitalit, Banka Amerikane e Investimeve, me 42.5% të kapitalit dhe shoqëria AK Invest, me 15% të kapitalit. Kapitali i regjistruar i kësaj shoqërie do të jetë 50 milionë lekë.
Bursa do të ketë si aktivitet kryesor tregtimin e letrave me vlerë, tregtimin e titujve dhe instrumenteve të tjerë financiarë, realizimin e një platforme tregtimi shumëpalëshe dhe edukimin, promovimin dhe dhënien e informacionit ndaj grupeve të interesuara. Në vendimin e plotë të publikuar nga AMF, bëhet i ditur edhe sistemi që do të përdoret, i quajtur “Quick Trade”, i cili mund të kryejë deri në 100,000 transaksione në ditë.
Në vitin e parë të aktivitetit, transaksionet e Bursës do të përqendrohen në tregtimin e titujve të qeverisë, si edhe tregtimin e aksioneve të shoqërive të dala nga privatizimi. Krijimi i bursës në Shqipëri do t’u japë mundësi investitorëve të vegjël të përfshihen në tregun e letrave me vlerë në mënyrë transparente. Krijimi i ALSE do t’i japë mundësi edhe lidhjes së kësaj burse me projekte të filluara nga vende të tjera në rajon.
Aktualisht, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, ka iniciuar një projekt rajonal ku është e përfshirë bursa e Sllovenisë, Bullgarisë, Maqedonisë, Kroacisë e Serbisë dhe synon krijimin e një infrastrukture për tregtimin e letrave me vlerë në këto vende dhe për rritjen e bashkëpunimit mes tyre.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.