Puna jashtë vendit – Solli 285 milionë euro vitin e kaluar
Të ardhurat e shqiptarëve nga puna jashtë vendit arritën vlerën e 285 milionë eurove vitin e kaluar.
Kjo shumë përfshin të ardhurat nga punësimi sezonal i shqiptarëve jashtë vendit ose nga puna në formën e shërbimeve outsourcing që shqiptarët kryejnë për subjekte që ndodhen jashtë Shqipërisë. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, këto të ardhura u rritën me 8% për vitin 2018 dhe po bëhen një burim gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë shqiptare.
Këto shifra dëshmojnë se të ardhurat nga jashtë tashmë nuk lidhen vetëm me remitancat dhe emigracionin e përhershëm. Shqiptarët po kërkojnë mundësi punësimi jashtë qoftë në mënyrë të përkohshme apo edhe duke punuar nga Shqipëria. Për një ekonomi me një bilanc tregtar deficitar, si ajo shqiptare, gjetja e mënyrave për të ngushtuar këtë deficiti ngelet e rëndësishme. Deri tani, format kryesore që e kanë ngushtuar deficitin e llogarisë korrente kanë qenë remitancat, turizmi, sektori fason dhe eksportet e shërbimeve në përgjithësi.
Dërgesat e emigrantëve u rritën edhe për vitin e kaluar në 670 milionë euro, 5% më shumë krahasuar me vitin 2017. Falë valës së dytë të emigrimit, remitancat kanë nisur një fazë të re rritëse, por sidoqoftë janë larg niveleve maksimale që patën arritur në mesin e viteve 2000.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.