Puna nuk është përkthyer në rritje pagash – ILO: Në Shqipëri, rritja e produktivitetit, më e lartë se rritja e pagës minimale

Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) ka publikuar raportin më të fundit vjetor mbi pagat dhe pagat minimale, 2020-2021. Në raport analizohen thuajse të gjitha vendet e botës dhe fokusi kryesisht vihet theksi te pagat minimale. Në një renditje të vendeve të ndryshme të Europës dhe Azisë qendrore sa i përket rritjes së pagave të shprehura në PPP dhe rritjes së produktivitetit gjatë periudhës 2010-2019, vihet re se, Shqipëria është krah vendeve me rritjen më të lartë të produktivitetit, në masën 2.7%, por, paradoksalisht, krah atyre me rritjen më të ulët të pagës minimale, prej një mesatare rritje vjetore prej vetëm 1.7%.
Pra, në harkun e thuajse një dekade, rritja e produktivitetit nuk është përkthyer në mënyrë proporcionale në rritjen e pagave. Rritja e pagës minimale përkthehet rrjedhimisht edhe në rritje të pagës mesatare, dhe mbetet një tregues mjaft i rëndësishëm i tregut të punës, por edhe i nivelit të mirëqënies së një vendi. Në vende si Spanja apo Britania, rritja e produktivitetit është përkthyer në një rritje ndjeshëm më të lartë të pagës minimale në dekadën e fundit, sinjalizon raporti më i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, ILO. Sa i përket pagës minimale të shprehur në paritetin e fuqisë blerëse ndërkohë, Shqipëria është e 14-ta nga fundi ndër vendet e Europës dhe Azisë qendrore, me një nivel më të lartë se vende si Bosnje Hercegovina, Ukraina, Bjellorusia, Rusia, Moldavia, etj.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.