Punëdhënësi kryesor në BE – Për vitin e kaluar u përqendrua në dy aktivitete ekonomike

Thuajse gjysma e punësimit në Bashkimin Europian për 2016-ën ishte përqendruar në dy aktivitete ekonomike.
“Tregtia me shumicë e pakicë, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore” zinin 24.7% të totalit, ndërsa “Administrata Publike, mbrojtja, edukimi, kujdesi shëndetësor dhe aktivitetet sociale”, zinin 23.7%.
Të dy këto grupe kanë pasur rritje të ndjeshme të përqindjes që zënë në treguesin total mbi punësimin në 20 vitet e fundit. Nga ana tjetër, pjesa e industrisë në të gjithë Bashkimin Europian, ka rënë në 15.3% nga 20.7% që ka qenë dy dekada më parë. Më herët gjatë javës, Eurostat publikoi se industria, përbën ende aktivitetin ekonomik më të madh në rajon, në terma të outputit të gjeneruar, me 19.4% të totalit të vlerës bruto të shtuar (GVA).
Në disa vende, përfshirë republikën çeke, Poloninë dhe Slloveninë, industria përbën ende punëdhënësin kryesor me 30.1%, 29% dhe 23.7% në mënyrë respektive. Në shumicën e vendeve anëtare, “Tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimet ushqimore”, përbënte punëdhënësin kryesor në vitin e kaluar.
Ky aktivitet kishte përqindjen më të lartë në raport me totalin e punësimit në Greqi, me 33.3%, ndjekur nga Qipro dhe Spanja me 31.9% dhe 30.3% në mënyrë respektive.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.