Punësim rekord në Europë – 235.4 milionë njerëz, shifra më e lartë në histori

Punësimi në vendet që ndajnë monedhën e përbashkët por edhe në ato të Bashkimit Europian u rrit me 0.4% gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, në krahasim me tremujorin paraardhës, tregojnë të dhënat më të fundit të agjencisë së statistikave të unionit. Në terma vjetorë ndërkohë, punësimi regjistrohet në rritje me 1.6% dhe 1.5% në Eurozonë dhe Bashkimin Europian respektivisht.
Sipas Eurostat, gjatë tremujorit të dytë të vitit, 235.4 milionë burra dhe gra në të 28 vendet e Bashkimit Europian, rezultojnë të punësuar. Ndër ta, 155.6 milionë janë në vendet e Eurozonës. Këto janë dy shifrat më të lartë të regjistruara ndonjëherë në të dyja zonat.

Sa i përket vendeve anëtare, rritjen më të madhe të punësimit e regjistrojnë, Malta, Spanja, Greqia dhe Polonia me rreth 1%.
Kroacia, Letonia, Rumania dhe Estonia janë të vetmet vende europiane që raportojnë një rënie të numrit të të punësuarve gjatë kësaj periudhe kohore. 24 vendet e tjetra ndërkohë regjistrojnë një shifër pozitive.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.