Punësimet e infermierëve në shtet- Kualifikohen 1747 profesionistë, ministria: Për fazën e dytë, tarifë e reduktuar!
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë rezultatet paraprake të verifikimit të kandidatëve që kanë aplikuar në portalin “Infermierë për Shqipërinë” për të marrë pjesë në konkursin për profesionistë të shkencave mjekësore teknike, për t’u punësuar në institucionet shëndetësore publike.
Sipas rezultateve paraprake, në fazën e dytë janë kualifikuar 1747 profesionistë të shkencave mjekësore teknike, 1238 prej të cilëve janë infermierë. Por kandidatët kanë të drejtë ankimimi brenda tre ditëve për vlerësimin ose moskualifikimin, para se të dalë lista përfundimtare e kandidatëve që kualifikohen për fazën e dytë të konkurimit.
Ndërkaq, ministria bën me dije se ndryshe nga konkurset e mëparshëm, testimi do të jetë i informatizuar dhe do të kryhet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Ndërkohë që, sa i takon tarifës, ajo nuk do të paguhet e plotë, por e reduktuar sipas një marrëveshjes së firmosur ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo do të thotë se kandidatët e kualifikuar duhet të paguajnë 3 mijë lekë, nga 5 mijë lekë që është tarifa e plotë.
Fatura e pagesës, se bashku me dokumentet e identifikimit duhet të paraqitet ditën e testimit, që do të zhvillohet gjatë muajit shtator sipas kalendarit që do të publikohet në faqen e Qendrës së Shërbimeve Arsimore si dhe në portalin “Infermierë për Shqipërinë”.
Ola Mitre/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.