Punësimet në administratë – Rritet me 200 numri i punonjësve të përkohshëm

Numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme për vitin 2018 në njësitë e qeverisjes qendrore është shtuar me 200 punonjës.
Me një vendim të datës 31 janar 2018 ishte vendosur që numri i punonjësve dhe praktikantëve me kontratë të përkohshme në institucionet shtetërore të ishte 1 752 punonjës. Vendim ky që është ndryshuar nga Këshilli i Ministrave duke e rritur numrin e punonjësve në administratë me rreth 200 të tillë.
Kështu deri në fund të vitit 2018 numri i punonjësve të përkohshëm në administratë do të jetë 1989 punonjës. Numri më i lartë të punonjësve me kontratë të përkohshme e ka Ministria e Drejtësisë e cila ka punësuar edhe 150 persona nga 487 që ishin miratuar në janar 2018. Këta persona do të punësohen të gjithë pranë ALUIZN-it ku 140 do të jenë në rolin e specialistit dhe 10 të tjerë si teknikë të mesëm. Kontrata e tyre do të jetë 6-mujore.
Punonjës do të shtohen edhe në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë , të Energjisë, të Arsimit si dhe në institucionet e tjera qeveritare, duke përfshirë edhe shërbimin informativ. Aktualisht numrin më të madhe të punonjësve me kontratë të përkohshme e ka Ministria e Financave dhe Ekonomisë ku rreth 300 punonjës janë të punësuar tek tatimet.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.