Punësimi i personave me aftësi të kufizuar, Klosi: Nis fushata e negocimit me subjektet private

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi aktivitetin për nxitjen e punësimit të personave me aftësi të kufizuar, me pjesëmarrjen e sipërmarrësve, drejtues të kompanive të ndryshme dhe punëkërkues nga kjo kategori.
Ministri Blendi Klosi nënvizoi mangësitë e mëdha në aksesueshmërinë e ambienteve për personat PAK, duke tërhequr vëmendjen edhe të institucioneve shtetërore për mungesën e infrastrukturës.
“Nuk jemi me aksesueshmërinë aty ku duhet të jemi. S’po flas për kompanitë private, që janë akoma shumë larg, por po flas së pari për institucionet qendrore” –deklaroi ministri Klosi, duke shtuar se janë intensifikuar përpjekjet për rritjen e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar.
Klosi deklaroi se janë dyfishuar punësimet e personave me aftësi të kufizuar.
“Një nga programet e nxitjes së punësimit ka shkuar për punësimin e kësaj kategorie. Deri në fund të vitit 2016 janë punësuar 101 PAK, në subjekte të ndryshme. Gjithashtu nga statistikat e inspektimeve të kryera në subjektet ekonomike janë evidentuar 125 punëmarrës me aftësi të kufizuar ku 42.4% janë femra. Në raport me një vit më parë, shifra e punëmarrësve të kategorisë PAK, rezulton 2 herë më i lartë”
Ministri Klosi deklaroi se ajo që po bëhet me kryetarët e bashkive, për nënshkrimin e Paktit Social për ngritjen e shërbimeve në çdo territor do të bëhet edhe me bizneset private për të ndërmjetësuar dhe nxitur rritjen e punësimit të personave me aftësi ndryshe. Drejtues të bizneseve u ofruan që disa nga pozicionet e tyre të lira në kompanitë e tyre, të jenë në dispozicion të personave me aftësi të kufizuar.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.