Punësimi lëviz drejt shërbimit, ndërsa industria centralizohet – Nga turizmi nuk përfitojnë dot vendet bregdetare

Ekonomia e vendit po zhvendoset gjithmonë e më shumë drejt boshtit të shërbimeve, si sektori që ka më tepër të punësuar në rang vendi. Për tremujorin e dytë të këtij viti, pjesa e të punësuarve në aktivitete që ofrojnë shërbime, si restorantet, hotelet, dyqanet, etj, arriti në 42.7% në shkallë vendi.
Kjo shifër përbën një rritje si krahasuar me tremujorin paraardhës me 0,7%, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë me 2,2%.
Megjithatë kjo rritje në vetvete duket se i atribuohet rritjes së shkallës së pjesëmarrjes në forcat e punës, ose zhvendosjes nga sektori i bujqësisë në atë të shërbimeve.

Pavarësisht shtimit të turistëve që vizitojnë bregdetin e Shqipërisë, sektori i shërbimeve duket se ka mundur të zgjerohet vetëm në qarqet jo tradicionalisht të lidhura me turizmin masiv si Berati, Dibra, Elbasani, Korça, Kukësi.
Qarku i Vlorës, i cili mbledh edhe pjesën më të madhe të pushuesve në vend, punësoi në shërbime vetëm 49,1% të popullsisë, në rënie me 51,9% krahasuar me Prill-Qershorin e vitit të kaluar.
Sektori i bujqësisë, i cili deri në fillim të vitit 2016 kishte numrin më të madh të të punësuarve, ka vijuar rënien, duke punësuar 38,4% të popullsisë, 0.6% më pak se periudha Janar-Mars dhe 2% më pak se një vit më parë.
Të vetmet rrethe që kanë shënuar rritje vitet e fundit në numrin e personave që angazhohen në sektorin e bujqësisë janë Gjirokastra, Lezha dhe Vlora.
Ndërkohë sektori i industrisë duket se po centralizohet drejt qyteteve më të mëdha të vendit. Ndonëse në rang vendi, numri i të punësuarve mbetet i njëjtë, po 19%, me një rënie minimale prej 0,1% krahasuar me një vit më parë, rritje të punësimit ka pasur vetëm në Tiranë, Lezhë, Fier dhe Durrës. Sa i takon rretheve të tjera, përqindja e të punësuarve në këtë sektor është ulur me 0,6 deri në 4 për qind.
Tashmë në qarqe si Elbasani, të cilat dikur janë ngritur mbi industrinë dhe prodhimin, ky sektor punëson vetëm 7,8% të popullsisë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.