Punësimi në sektorin bankar – “Partnerët Shqipëri” dhe bankat nisin trajnimin e të rinjve

“Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar” është programi i iniciuar nga Partnerët Shqipëri dhe Shoqata e Bankave.
Ky program do t’ju japë mundësi të rinjve që studiojnë kryesisht në Fakultetin e Ekonomisë që të njihen nga afër me atë se çfarë ndodh realisht në terren në momentin që punësohen.
Drejtuesja e Partnerët Shqipëri, Juliana Hoxha u shpreh se ky trajnim ka si qëllim të rrisë kapacitetet e të rinjve që kërkojnë të punësohen në sektorin bankar.
Kreu i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli theksoi se industria është e interesuar për punonjës të kualifikuar.
Ky program do të ofrojë për studentët e përzgjedhur mundësi edukimi dhe zhvillimi nëpërmjet metodave më bashkëkohore të të mësuarit dhe ekspertizës shumëdimensionale të ekspertëve të angazhuar në program.
Aktualisht trajnimi nisi me grupin e parë të përzgjedhur të studentëve ku si kriter ishte vendosur nota mesatare, ndërkohë që grupi i dytë që do të trajnohet nga ekspertët e sektorit bankar do të jetë në tetor.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.