Punësuan 1600 persona – Financim 115 milionë lekë për 200 biznese
Bizneset që kanë fituar të drejtën për të përfituar nga fondet për nxitjen e punësimit, por që nuk kanë marrë ende financimin e plotë nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, do t’i marrin paratë gjatë këtij viti.
Nga fondi total prej 490 milion lekësh, i akorduar këtë vit për këtë qëllim, rreth 115 milion lekë do të mbulojnë 200 projektet e nisura nga viti 2016, në të cilat janë punësuar 1666 persona.
Mesatarisht këtyre subjekteve, u takon që të përfitojnë rreth 575 mijë lekë, të cilat nuk janë disbursuar ende.
Aktualisht janë në zbatim shtatë Programe Aktive të Nxitjes së Punësimit, të cilat janë hartuar në kuadër të zbatimit të Strategjisë Sektoriale të Punësimit 2014 – 2020 dhe rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Shpërndarja e parave për bizneset përfituese bëhet me këste dhe shkon për 4 paga të paguara nga shteti në masën e pagës minimale dhe sigurimet shoqërore e shëndetësore për një vit për çdo individ të punësuar. Vitet e kaluara, fondi është shpërndarë në biznese të ndryshme, ku kanë përfituar rreth 500 sipërmarrje, por ato që kanë pasur më shumë përparësi janë industria me material të porositur si dhe industritë e prodhim-përpunimit.
Fasonët do kenë sërish përparësi pasi nga tatimi që paguajnë prej 15 për qind, 5 për qind e tij ruhet në një fond të veçantë për tu përdorur për punësimin e shtresave në nevojë, kryesisht grave dhe vajzave, të rinjve dhe grupeve vulnerabël.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.