Punimet në “Skënderbej” – Veliaj: “Sheshi hapet në qershor”
Me fillimin e procesit të mbjelljes së pemëve dhe shtrimit të gurëve, punimet për Sheshin “Skënderbej” janë në fazën e fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi projektin dhe theksoi se sheshi do të hapet për publikun në qershor.
“Jam shumë entuziast sepse po hyjmë në një fazë të re të Sheshit ‘Skënderbej’, i cili do të hapet në qershor. Për të gjithë ata që kishin dyshime se sheshi do të ishte vetëm një hapësirë e madhe me pllaka, sot në fakt po provojmë të kundërtën; do të jetë ashtu siç e kërkuan qytetarët: gjysma e hapësirës, pra pjesa qendrore, me gurë, ku do të organizohen aktivitete, koncerte, panaire të ndryshme, kurse gjysma tjetër me bimësi”, u shpreh Veliaj.
Projekti parashikon krijimin e një hapësire të gjelbër në 50% të sipërfaqes së sheshit, duke hijëzuar të gjitha akset kryesore të lëvizjes pedonale; mbjelljen e pemëve të reja dhe mijëra bimë dekorative, shumëllojshmëri mjedisesh dhe hapësirash, e përbërë nga 11 lulishte të ndryshme, veshje me gurë dekorativë e natyralë nga të gjitha trevat shqiptare; si dhe ujitja dhe shatërvanët do të funksionojnë me sistem impianti ekologjik, duke filtruar dhe përdorur ujin e reshjeve.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.