Punonjësit e Administratës “larg” fushatës zgjedhore gjatë orarit të punës! Avokati i Popullit, Totozani rekomandime ministres Harito
Avokati i Popullit, Igli Totozani i rekomandon Ministres Milena Harito dhe të gjithë Kryebashkiakëve të marrin masat për mospërfshirjen e punonjësve të Administratës Publike Qendrore dhe Vendore në fushatë elektorale në orarin zyrtar të punës. Konkretisht, Avokati i Popullit, Totozani në këtë rekomandim shkruan se
“Në rast se do të konstatohen raste konkrete, kërkojmë marrjen e masave disiplinore në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës apo Nepunësit Civil ndaj punonjësve që anashkalojnë detyrat dhe misionin e tyre të ngarkuar nga Kushtetuta dhe Ligjet e tjera”
Në vijim të paketës së rekomandimeve për procesin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në vend Avokati i Popullit Igli Totozani, i është drejtuar Ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, si dhe të gjithë Kryetarëve të Bashkive në vend për:
-Marrjen e masave organizative për mospërfshirjen e punonjësve të Administratës Publike Qendrore dhe Vendore në fushatë elektorale në orarin zyrtar të punës.
– Në rast se do të konstatohen raste konkrete, kërkojmë marrjen e masave disiplinore në përputhje me dispozitat e Kodit të Punës apo Nepunësit Civil ndaj punonjësve që anashkalojnë detyrat dhe misionin e tyre të ngarkuar nga Kushtetuta dhe Ligjet e tjera.
Rekomandimet
Në rekomandimin e Avokatit të Popullit thuhet se:
Reformimi i Administratës Publike vijon të mbetet një prej prioriteteve jo vetëm për integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe Europiane, por edhe të punës së institucionit të Avokatit të Popullit dhe sikundër është cituar edhe në Progres-Raportin e muajit Nëntor 2016 nga Komisioni Europian, Shqipëria, është mesatarisht e përgatitur në drejtim të reformës në administratën publike.
Përmirësimi dhe thellimi i demokracisё nё shoqёrinё shqiptare, forcimi i demokracisё institucionale, rritja e nivelit tё qeverisjes, kërkon që të gjitha instuticionet e shtetit të marrin masat e nevojshme, të domosdoshme, institucionale e legjislative, tё cilat do të garantojnë në mënyrë të plotё dhe të gjithanshme liritë, tё drejtat dhe interesat e ligjshme tё individëve.
Institucioni i Avokatit të Popullit në përputhje me nenin 60 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe me ligjin 8454/1999, “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshme të individëve, ka nisur me inisiativë dhe do të ndërmarrë në vijim një monitorim për punonjësit e Administratës Publike (qendrore dhe vendore) mbi përfshirjen ose jo të këtyre nëpunësve në fushatë zgjedhore gjatë orarit zyrtar të punës.
Bazuar në praktikat e mëparshme të punës së Avokatit të Popullit, kryesisht gjatë vitit 2013, para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në vend, ka rezultuar një numër i konsiderueshëm ankesash, me objekt largime të padrejta nga puna në mënyrë të menjëhershme por, bazuar në pretendimet e ankuesve motivacioni lidhej me “bindjet politike” si dhe mosmarrjen pjesë në fushatë zgjedhore.
Ligji nr.8417, datë 21.10.1998, mbi miratimin e “Kushtetutës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar në nenin 107 të tij, përcakton termin “nëpunës publik”. Sipas këtij neni misioni i nëpunësit publik (duke përfshirë të gjithë ata nëpunës që janë pjesë të shërbimit civil apo që trajtohen edhe me Kod Punës është zbatimi i ligjit dhe të janë në shërbim të popullit.
Gjithashtu, ligji i ri për shërbimin civil me nr. 152/2013, miratuar në vitin 2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, në nenin 37 të tij përcakton të drejtat politike. Konkretisht, në këtë nen citohet se:
“1. Nëpunësi civil ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike jashtë orarit zyrtar. Nëpunësi civil nuk duhet të shprehë publikisht bindjet apo preferencat e tij politike.
2. Nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues nuk mund të jenë anëtarë të partive politike. Nëpunësit civilë të kategorive të tjera kanë të drejtë të jenë anëtarë të partive politike, por nuk mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese të tyre.
3. Nëpunësi civil ka të drejtën të kandidojë dhe të zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë apo për organet e qeverisjes vendore. Në këtë rast, nëpunësi detyrohet të kërkojë pezullimin nga detyra”.
Pra, sikundër është përcaktuar në Kushtetutë dhe në ligjin për nëpunësin civil, parimi bazë për këta nëpunës nuk është ndërmarrja e veprimtarive që mund të vërë në pikëpyetje pa-anësinë e tyre politike ose që mund të shkaktojë kritika që këta nëpunës janë duke u përdorur për qëllime politike partiake.
Duke mbajtur në konsideratë misionin që duhet të kenë nëpunësit e Administratës Publike qendrore apo vendore, nyja kryesor duhet të jetë njohja, se individi gëzon një të drejtë themelore për administrim të mire dhe të jenë në shërbim të këtyre individëve.
Në vlerësimin tonë është shumë e rëndësishme që nga çdo punonjës i Administratës Publike të respektohen dhe të garantohen në mënyrë të plotë parimet bazë të parashikuara në Ligjin nr.44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë”, mbi të cilët mbështetet veprimtaria e organeve të administratës publike sikundër janë: Parimi i ligjshmërisë; Parimi i transparencës; Parimi i informimit; Parimi i mbrojtjes së sekretit shtetëror; Parimi i mbrojtjes së konfidencialitetit; Parimi i mbrojtjes së të dhënave; Parimi i dhënies së ndihmës aktive; Parimi i ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit; Parimi i proporcionalitetit; Parimi i drejtësisë dhe i paanësisë; Parimi i objektivitetit; Parimi i përgjegjësisë; Parimi i marrjes së vendimeve; Parimi i barazisë dhe i mosdiskriminimit; Parimi i deburokratizimit dhe i efiçencës; Parimi i mospagimit në procedurat administrative; Parimi i kontrollit etj.
Gjithashtu, në nenin 3 pika “B”, të ligjit nr. 9131/2003, “Për rregullat e Etikës në Administratën Publike” përcaktohen parimet e përgjithshme të etikës, në të cilën citohet së: “Në kryerjen e funksioneve, nëpunësi i administratës publike duhet të respektojë parimet dhe të veprojë në mënyrë të pavarur nga pikëpamja politike e të mos pengojë zbatimin e politikave, të vendimeve ose veprimeve ligjore të autoriteteve të administratës publike”
Si dhe në nenin 14 të ligjit të sipërcituar “Koha e punës”, theksohet se: “Nëpunësi duhet ta përdorë kohën e punës në mënyrë efektive për realizimin e detyrave zyrtare. Kjo kohe nuk përdoret për asnjë qellim tjetër, përveçse ne rastet kur përdorimi i saj për qëllime te tjera është i autorizuar zyrtarisht, ne përputhje me legjislacionin ne fuqi”.
Sa më sipër, duke u bazuar në parimet e sipërcituara, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se pjesëmarrja e vullnetshme apo e detyruar e punonjësve të Administratës Publike qendrore dhe vendore në fushata apo angazhime politike, brenda orarit zyrtar, është një veprim i cili bie ndesh me këto parime.
Avokatit të Popullit, do të dëshironte që ky rekomandim, nga ana juaj të mund të interpretohet si një mesazh mirëkuptimi me interes të përbashkët, në të mirë të respektimit të ligjshmërisë në veprimtarinë e përditshme të administratës publike, si dhe për më tepër për një rritje të përgjegjshmërisë në ofrimin e shërbimeve të përditshme ndaj qytetarëve.
Për sa më sipër parashtruam, Institucioni i Avokatit të Popullit nisur nga qëllimi i mirë për mirëfunksionim dhe përmirësimin e punës për çdo organ të Administratës Publike, e çmon me vend të bëjë këtë rekomandim për të kontribuar së bashku në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, por edhe për t’ju përgjigjur standardeve të një vendi që ka në qendër të vet mirëqenien e qytetarëve dhe aspiron të bëhet pjesë sa më shpejt në Bashkimin Europian.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.