Pushteti Vendor më efektiv në mbledhjen e të ardhurave – Taksa lokale realizohet dy muaj përpara

Statistikat mbi të ardhurat tatimore që kanë hyrë në buxhetin e shtetit për 10 muajt e parë të vitit tregojnë se ato janë në rrugën e duhur drejt realizimit të planit vjetor. Megjithatë, të ndara sipas zërave nga të cilat burojnë të ardhurat, duket se performanca varion.
Kështu, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë realizuar në masën 81%, duke grumbulluar për periudhën Janar-Tetor rreth 242.4 miliardë lekë, nga 299.4 miliardë lekë që duhet të hyjnë në arkat e shtetit deri në fund të vitit.
Një performancë lehtësisht nën pritshmëri e të ardhurave nga Tatimet dhe Doganat vjen si pasojë e disa taksave për të cilat shtetit kishte parashikuar më tepër të ardhura, si taksa mbi të ardhurat personale dhe të ardhurat nga akcizat.

Nga ana tjetër, pushteti vendor ka rezultuar shumë më efikas në grumbullimin e të ardhurave, duke realizuar në 10 muaj, 94% të të ardhurave të planifikuara për gjithë vitin. Megjithatë, edhe këtu performanca ndahet në varësit të llojit të taksave.
Taksa mbi pronën, e cili në paketën e re fiskale pritet të rritet për një pjesë të madhe të banesave, është lehtësisht nën pritshmëritë e buxhetit 2017. Ndërsa të ardhurat e mbledhura nga biznesi i vogël kanë një performancë shumë negative, duke arritur të grumbullojnë vetëm 272 milionë lekë nga 483 milionë të parashikuara deri në fund të Dhjetorit.
Taksat lokale janë atë që duket se kanë bërë diferencën në arkën e pushtetit vendor, duke tejkaluar realizimin e planit që në fund të Tetorit. Këtu përfshihen taksa si ajo e fjetjes në hotel, taksa e tabelës dhe mbi të gjitha taksa mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme.
Ndërkohë, sa i takon zërave të tjerë në të ardhurat e shtetit, ato nga fondet speciale janë gjithashtu në mbi realizim, shtyrë nga sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore.
Sa i takon të ardhurave jotatimore, ato janë në rrugën drejt mosrealizimit, për shkak të të ardhurave të ulëta nga dividenti dhe tarifat e shërbimeve.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.