Putin dhe homologu i tij ukrainas nisin bisedimet për “uljen e armëve”
Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Ukrainës Volodimir Zelensky mbajtën të enjten bisedën e tyre të parë telefonike në të cilën diskutuan zgjidhjen e konfliktit në Ukrainën lindore dhe kthimin e të burgosurve, bëri me dije Kremlini.
Zelensky, një ish aktori komik me asnjë përvojë të mëparshme politike, fitoi zgjedhjet presidenciale të Ukrainës në prill duke e shpallur zgjidhjen e konfliktit midis separatistëve pro-rusë dhe forcave të Kievit një nga prioritetet e tij. Kremlini tha se thirrja telefonike midis Putinit dhe Zelenskit ishte iniciuar nga pala ukrainase. Ata diskutuan mundësinë e vazhdimit të kontakteve për çështjen në formatin ‘Normandia’, që përfshin pjesëmarrjen e Francës dhe Gjermanisë, tha deklarata e Kremlinit.
Zelensky tha të dielën se planifikon të vazhdojë bisedimet e mbështetura nga Europa me Rusinë mbi një marrëveshje paqeje të pa zbatuar dhe do të përpiqet të lirojë ukrainasit e burgosur në Rusi. Kjo përfshin edhe 24 marinarët e Ukrainës, ndër të tjera. Konflikti shpërtheu në Ukrainën lindore në 2014, pak pasi Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë, ku më shumë se 10,000 njerëz mbetën të vrarë. (Euronews)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.