Putin: Rusia pajtohet me Arabinë Saudite që të zgjasë marrëveshjen e OPEC-ut me 9 muaj
Rusia ka rënë dakord me Arabinë Saudite që të zgjasë me gjashtë deri nëntë muaj marrëveshjen me OPEC për reduktimin e prodhimit të naftës, tha presidenti rus Vladimir Putin. Putin, pas bisedimeve me princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, tha në një konferencë për shtyp se marrëveshja do të shtrihej në formën e saj aktuale dhe me të njëjtat vëllime.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, Rusia dhe prodhuesit e tjerë, një aleancë e njohur si OPEC +, do të takohen në 1-2 korrik për të diskutuar marrëveshjen që përfshin frenimin e prodhimit të naftës me 1.2 milion fuçi në ditë. Pakti aktual skadon pas 30 qershorit. “Ne do të mbështesim zgjatjen e afatit, si Rusia dhe Arabia Saudite. Për sa i përket kohëzgjatjes nuk e kemi vendosur ende nëse do të jetë gjashtë apo nëntë muaj. Ndoshta do të jetë nëntë muaj “, tha Putin, i cili u takua me princin e kurorës gjatë samitit të G20 në Japoni. Një zgjatje prej nëntë muajsh do të thotë se marrëveshja përfundon në mars të vitit 2020.
Kirill Dmitriev, shefi ekzekutiv i Fondit të Investimeve të Drejtpërdrejta Ruse, i cili ndihmoi në dizajnimin e marrëveshjes OPEC-Rusi, tha se marrëveshja që nga viti 2017 tashmë ka rritur të ardhurat nga buxheti i Rusisë me më shumë se 7 trilionë rubla. “Partneriteti strategjik brenda OPEC + ka çuar në stabilizimin e tregjeve të naftës dhe lejon që të reduktohen dhe të rriten prodhimet në varësi nga kushtet e kërkesës së tregut, gjë që kontribuon në parashikueshmërinë dhe rritjen e investimeve në industri”, tha Dmitriev.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.