Qëllimet e vizitorëve në Shqipëri – Rriten me 21.1% ato për biznes, bie turizmi ditor
Pjesa dërrmuese e të huajve që vijnë në Shqipëri kanë si qëllim parësor pushimet. Ndërkohë, në vend të dytë janë ata që kalojnë tranzit në Shqipëri.
Më pas ndjekin ata për qëllime biznesi dhe pune, që janë 63 mijë. Kështu, të dhënat më të fundit të institutit të statistikave tregojnë se, këta të fundit zënë vetëm 1.3% të totalit të hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë.
Gjithsesi, kemi të bëjmë me një rritje të ndjeshme me 21.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga të dhënat e Instat vihet re gjithashtu një përgjysmim i numrit të vizitave në Shqipëri për qëllime fetare gjatë 11 muajve të parë të vitit.
Këto udhëtime lidhen kryesisht me misionet fetare në vendin tonë. Sa i përket hyrjeve për qëllime shëndetësore, shifra mbetet thuajse e pandryshuar. Gjithsesi, ajo që bie më së shumti në sy nga shifrat e Instat është rënia e ndjeshme e numrit të hyrjeve një ditore përgjatë 11 mujorit, nga rreth 503 mijë gjatë Janar-Nëntor të vitit të kaluar, në 285.700 këtë vit.
Kjo përkthehet në një rënie prej 76%. Turizmi ditor në pjesën dërrmuese i referohet hyrjeve të turistëve nga vendet fqinje gjatë fundjavave.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.