Qershori “ngadalëson” makinat – Europa ul ritmin, shitjet bien në Gjermani

Tregu europian i makinave ka mbyllur muajin Qershor në ngadalësim, por duke vazhduar gjithsesi rritjen. Gjatë Qershorit, shitjet e makinave u rritën me 2.1%, ndërkohë që në tremujorin e parë rritja fiksohet në 4.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë Qershorit rezulton të ketë pasur 1.491.000 regjistrime të reja të makinave. Përgjatë të gjithë vitit, në kontinentin e vjetër, shifra ngjitet në 8.2 milionë makina. Të dhënat e qershorit sinjalizojnë një ngadalësim të hapit në krahasim me pjesë e parë të vitit, me përjashtim të muajit Prill.
Mes shtëpive prodhuesve, Volkswagen është rritur me 2.7% gjatë muajit, me Skodën dhe Seat që udhëheqin prodhuesin gjerman. Renault raporton rritje me 2.8%, ndërsa Fiat Chrysler me plot 7.6% duke marrë shtysë nga makinat që mbajnë logon Fiat.
Alfa Romeo ndërkohë është rritur me 34%. Edhe prodhuesit japonez kanë rritur ndjeshëm shitjet në kontinentin e vjetër. Në rënie ndërkohë rezulton vetëm BMW. Ndër pesë tregjet më të mëdha të makinave në Europë, Gjermania zhgënjen, duke prodhuar edhe ngadalësimin e normës totale.
Në Gjermani shitjet e makinave gjatë qershorit rezultojnë në rënie me plot 3.5%. Gjermania është tregu më i madh i makinave në Europë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.