Qeset me pagesë – Nisma e re, Veliaj: Dekurajojmë përdorimin e tyre

Nga data 2 Prill qeset në supermarketet kryesore në vend nuk do të jenë më falas.
Bashkia e Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje me përfaqësuesit e supermarketeve, për zbatimin e kësaj iniciative të re që synon të dekurajojë qytetarët nga përdorimi i qeseve plastike, për shkak të ndotjes së lartë që shkaktojnë në mjedis.
“Sot është shumë e rëndësishme që të fillojmë me këtë politikë, ku do të bëhen pjesë marketet më të mëdha, për t’i dekurajuar të gjithë për të mos i përdorur qeset plastike dhe unë mendoj që është një nga mënyrat më të mira që ne të kontribuojmë për një qytet më të shëndetshëm sesa ky që kemi sot“, tha kryebashkiaku Veliaj.
Në një vit ne vendin tonë përdoren rreth 1200 ton qese plastike, të cilat përkthehen në ndotje dhe bllokim kanalizimesh. Kryebashkiaku Veliaj theksoi se kjo politikë ecen paralel me politikat e tjera të bashkisë për një mjedis më të pastër.
“Vjet, falë politikave që morëm për parkimin dhe pastrimin, ulëm ndotjen e ajrit në Tiranë me 15%. Pra, do të thotë që ne e paskemi vetë në dorë. Nëse e kemi në dorë për ta bërë pis qytetin, po ashtu e kemi në dorë edhe për ta mbajtur pastër. Meqë e kemi vetë në dorë, le të marrim vendime të guximshme sot që t’i shohim hajrin në të ardhmen që të kemi një gjeneratë më të shëndetshme”, tha Veliaj.
Pas supermarketeve kryesore, kjo iniciativë synohet të shtrihet edhe në markete të tjera dhe dyqane lagjesh, duke e kthyer në kulturë përdorimin e çantave ekologjike.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.