Qetësohen investitorët në Europë – Zgjedhjet në Holandë dhe FED, reflektohen në tregje

Lehtësimi i investitorëve nga mposhtja e partisë populiste në Hollandë, si dhe rritja e normës bazë të interesit në SHBA, kanë sjellë një performancë pozitive në tregjet globalë.
Indeksi europian Stoxx 600, kryesori në rajon, u rrit me 0.5% në hapje të sesionit, duke prekur nivelin më të lartë në 3 muaj.
Indeksi i Amsterdamit, AEX, u rrit me 0.9% duke shkuar drejt nivelit më të lartë që prej Dhjetorit 2007.
Shqetësimet mbi pasiguritë politike kanë mbajtur investitorët nën alarm, ndërkohë që po afrohen edhe zgjedhjet në Francë.
VStoxx, një indeks që mat luhatshmërinë në Eurozonë, ra me 23% ditën e sotme, duke ndjekur rezultatin e votimit në Hollandë.
Analistët thonë se votimi në Hollandë është konsideruar si një testim për të gjithë rajonin, dhe se rritja e valutës së përbashkët ka gjasa të vijë prej pritshmërive se Franca do të bëjë të njejtën gjë.
Euro u rrit nga 1.0616 që ishte niveli më i ulët ditor ditën e Mërkurë, në 1.0737 kundër vautës amerikane.
Sektori financiar në rajon reflektoi ndërhyrjen e Rezervës Federale ditën e djeshme. Huadhënësit francezë BNP Paribas dhe Societe Generale, u rritën në vlerë tregu me 1.78% dhe 2.23%, ndërsa bankat në gjermani, Commerzbank dhe Deutsche Bank, u rritën me 0.64% dhe 1.66% respektivisht. Intesa Sanpaolo, UniCredit dhe Banco Santander u rritën gjithashtu në hapje të sesionit tregtar europian.
Në sesionin aziatik, përveç Rezervës Federale, evente të tjerë të rëndësishëm kanë qenë vendimet e Bankës së Japonisë dhe Bankës Qendrore të Kinës. Banka e Japonisë nuk ndryshoi politikat monetare, ndërsa Banka e Kinës rriti normën afat-shkurtër të interesit me 0.1%. Të gjithë indekset aziatikë u mbyllën në performancë pozitive të Enjten në mëngjes.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.