Qeveria britanike jep këshilla udhëtimi për shtetasit që vizitojnë Shqipërinë

Zyra e Jashtme e Britanisë ka publikuar të mërkurën një listë me këshilla që duhen ndjekur nga të gjitha shtetasit e saj që vizitojnë Shqipërinë këtë verë.
Në pjesën më të madhe njoftimi i drejtohet raportimeve të shumta për zjarret që kanë rënë gjatë muajve të nxehtë të kësaj vere në zona të ndryshme të vendit. Zyra e Jashtme i këshillon turistët të qëndrojnë të informuar nga mediat lokale dhe ndërkombëtare mbi situatën e flakëve në Shqipëri.
Sa i takon sigurisë publike, kjo zyrë shprehet se ajo është përgjithësisht e mirë, veçanërisht në Tiranë.
“Krimi dhe dhuna ndodh në disa zona, por nuk është e drejtuar zakonisht ndaj të huajve”, lexon njoftimi duke shtuar se armëmbajtja pa leje është një fenomen i përhapur.
Zyra i këshillon turistët të bëjnë kujdes kur vizitojnë fshatrat dhe qytezat pranë kufijve veriorë me Kosovë, për shkak të minave dhe municioneve të tjera të pashpërthyera. Sipas qeverisë britanike, sulmet terroriste nuk mund të përjashtohen në Shqipëri.
Njoftimi jep të dhëna edhe për muajt e dimrit, ku reshjet e borës në zonat malore mund të ndërpresin shërbimet dhe transportin, ndërsa përmbytjet janë të shpeshta.
Sipas të dhënave që jep kjo zyrë, janë rreth 80 mijë shtetas britanikë që vizitojnë Shqipërinë çdo vit dhe shumica e vizitave nuk janë problematike.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.