Qeveria e Kosovës publikon raportin për matjen e territorit

Qeveria e Kosovës ka publikuar në faqen zyrtare raportin e Komisionit për matjen e territorit të Republikës së Kosovës. Raporti u prezantua në mbledhjen e 135 të qeverisë që është mbajtur më 3 Mars 2017.
Raporti zyrtar i Komisionit të ekspertëve, të kryesuar nga kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, puna e të cilit është mbikëqyrur dhe nënshkruar nga përfaqësuesit e Ambasadës së SHBA-ve, të KFOR dhe të BE, tashmë është në procedurë për dërgimin për informim te Kuvendi dhe te Presidenti i vendit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson faktin që edhe ky raport konfirmon punën e Komisionit shtetëror, qëndrimin e Komisionit të ekspertëve ndërkombëtarë të thirrur nga Presidentja Jahjaga, të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, të vendeve mike evropiane dhe shumë institucioneve vendore se Republika e Kosovës, me procesin e shënjimit të kufirit me Malin Zi, nuk e humb asnjë metër të territorit të Kosovës. Duke ftuar përfaqësuesit e partive parlamentare dhe më gjerë që të jenë pjesë e këtij procesi historik të shënjimit të një kufiri ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, i cili njëkohësisht hap udhë për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, Qeveria fton deputetët e Kuvendit që të jetësojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës për realizimin e këtyre aspiratave shumëvjeçare”, thuhet në njoftim.
Për më shumë informacion mund të klikoni këtu:
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.