Qeveria e re holandeze pritet të vendoset më 10 janar!
Qeveria e re holandeze pritet të vendoset më 10 janar, pothuajse 10 muaj pas zgjedhjeve të fundit, tha të enjten një deklaratë e lëshuar nga zyra e kryeministrit Mark Rutte. Partitë politike në fillim të këtij muaji ranë dakord mbi detajet e paktit të tyre qeverisës, pas negociatave të tilla më të gjata në historinë holandeze.
Koalicioni do të përbëhet nga katër partitë që kanë qenë në pushtet që nga viti 2017, por u deshën gati 300 ditë për t’i ribashkuar pasi zgjedhjet e 17 marsit sollën një rezultat jo përfundimtar. Rutte pritet të drejtojë administratën e tij të katërt radhazi si kryeministër, duke e bërë atë udhëheqësin më jetëgjatë të qeverisë në Bashkimin Europian së bashku me Viktor Orban të Hungarisë.
Rutte, i cili mori detyrën në vitin 2010, është gjithashtu në rrugën për t’u bërë kryeministri më jetëgjatë në historinë holandeze, pasi ai do të kalojë Ruud Lubbers deri në gusht të vitit të ardhshëm. Dokumentet treguan se Wopke Hoekstra nuk do të kthehet si ministër i financave në qeverinë e re, pasi ai pozicion kalon nga CDA e tij kristian-demokrate në partinë pro-BE D66, e dyta më e madhe nga katër partitë e mundshme qeverisëse pas VVD-së konservatore të Rutte.
Ish-ministri i Jashtëm Sigrid Kaag pritet të emërohet si ministre e re e financave, tha të enjten transmetuesi holandez RTL.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.