Qeveria e re, Zusi: Jetike reforma në administratë dhe në sigurinë ushqimore

Kreu i “Qendrës së Eksporteve Shqiptare” dhe drejtor ekzekutiv i “Albanian Food Industry”, Alban Zusi liston dy reforma imediate për qeverinë e re.
Sipas Zusit reforma e parë që duhet ndërmarrë, është ajo në administratën publike.
“Ka një kategori reformash që quhen reforma sistematike që ndihmojnë për të ndërtuar sistemet, që i shërbejnë më pas të gjithë ekonomisë dhe padyshim kjo do të ishte reforma në administratën publike. Kjo do të shërbente si një bazë për përmirësimin e të gjithë pjesës tjetër që rrjedh pikërisht nga administrate publike dhe pritshmërisë që kanë qytetarët ndaj kësaj administrate.”
Zusi shprehet se duhen ndërmarrë edhe reforma specifike në sektor të caktuar që janë jetike për vendin, siç është reforma e sigurisë ushqimore.
“Nisja e një reforme të tillë nga qeveria e re, është e lidhur me shëndetin e njerëzve. Nga ana tjetër kjo është një reformë e cila menjëherë krijon një impakt ekonomik në pothuajse 40% të GDP-s së vendit, e cila në fakt është një GDP e krijuar nga prodhimet bujqësore dhe ajo industrialo-ushqimore. Qendra e Eksporteve Shqiptare dhe Albanian Food Industry si grup interesi, do të ushtrojmë të gjithë influencën e saj, për të bindur kryeministrin Edi Rama, në domosdoshmërinë e një iniciative kombëtare nën drejtimin e tij, për sigurinë ushqimore” u shpreh Alban Zusi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.