Qeveria gjermane plan të ri masash për azilkërkuesit – Parashikon politika të ashpra deportimi
Qeveria e sapoformuar gjermane do të hartojë një plan të ri në lidhje me refugjatët dhe azilkërkuesit, që do të përfshijë procedura më të shpejta dhe politika më të ashpra të deportimit, sipas ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer.
Në një intervistë për gazetën “Bild am Sonntag”, Seehofer tha se Gjermania ka numrin më të madh të aplikantëve për azil dhe refugjatëve në BE, me shqiptarët që kryesojnë listën.
“Ne kemi një masterplan për procedura më të shpejta të azilit dhe deportime më të qëndrueshme. Numri i deportimeve duhet të rritet ndjeshëm. Ne duhet të ndërmarrim veprime më të ashpra, veçanërisht në rastin e kriminelëve dhe autorëve të krimit në mesin e azilkërkuesve.”
Ministri, i cili ka qenë gjithmonë kritik ndaj politikave të emigracionit të kancelares Angela Merkel, tha se vendimet për aplikimet për azil duhet të bëhen brenda disa muajve, duke u zotuar të miratojnë një politikë “tolerance zero ndaj kriminelëve”.
“Ne duam të mbetemi një vend me mendje të hapur dhe liberale. Por kur është fjala për mbrojtjen e qytetarëve tanë, ne kemi nevojë për një shtet të fortë. Do të sigurohem për këtë, “ shtoi më tej Seehofer.
Vitin e kaluar, ambasadori gjerman Susanne Schutz deklaroi se shqiptarët nuk mund të shpresojnë që të përfitojnë azil në Gjermani. Në të njëjtën kohë, Gjermania po kërkon sërish të diplomuarit më të mirë në fushën e kujdesit shëndetësor dhe mjekësisë, duke dobësuar rëndë infrastrukturën shëndetësore shqiptare.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.