Qeveria greke u heq pagat priftërinjve ortodoksë
Qeveria e majtë e Athinës ka ndërmarrë një hap radikal që ka transformuar marrëdhëniet e shtetit grek me kishën e fuqishme ortodokse, duke shpallur përfundimin e statusit të klerikëve si nëpunës civilë.
Zyrtarët thanë se në sektorin publik nuk do të ekzistonin më role fetare. “Me këtë marrëveshje do të lirohen 10,000 vende të shërbimit civil. Edhe pse klerikët nuk janë nënpunës civilë, ata numërohen si të tillë”– tha zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tzannakopulos.
Progresistët kanë folur prej kohësh për nevojën për të ndarë kishën dhe shtetin nga marrëveshja “historike”, që tani shihet si çelësi për arritjen e të dyve.
Sipas marrëveshjes, të ardhurat nga pronat, pronësia e të cilëve është kontestuar që nga fillimi i viteve 1950, do të ndaheshin 50-50 (mes kishës dhe qeverisë). Kisha greke është deri tani institucioni më i pasur i vendit me hotele, ndërmarrje dhe pasuri të tjera në pronësinë e saj. Shkalla e një pasurie të tillë shpesh shkaktoi përplasje gjatë krizës financiare të Greqisë.
Tzannakopulos tha se marrëveshja po ashtu kërkoi të siguronte neutralitetin fetar për një shtet të akuzuar gjatë për paragjykimin e shtetasve që nuk ishin ortodoksë grekë. “Asnjanësia fetare do të thotë që shteti grek nuk do të jetë në gjendje të njohë fetë e caktuara me më shumë ose më pak të drejta.Por ajo që nuk ndryshon është njohja e faktit se kisha ortodokse ka shumicën dërrmuese të besimtarëve.” – shtoi ai.
Sipas The Guardian, për të diskutuar këtë gjë, Tsipras mbajti bisedime me kryepeshkopin Ieronymos. Lajmi ndezi një reagim të ashpër me peshkopët të cilët e dënuan si tradhti. Ieronymos, duke u përpjekur të qetësojë situatën, këmbënguli se marrëveshja ishte larg zyrtarizimit. “Marrëveshja është një gjë. Nëse biem dakord apo jo është diçka tjetër”- tha ai.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.