Qeveria “harron” kompensimin e naftës për transportin – Operatorët, ende në pritje të udhëzimit për të marrë 100 lekë/l, sipas paketës së rezistencës

Pavarësisht se kanë kaluar 3 javë nga publikimi i paketës së rezistencës, që parashikon ndër të tjera kompensimin me 100 lekë/litër për operatorët e transportit publik, Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar ende vendimin, që do i hapte rrugë zbatimit të kësaj mase.
Mbledhja e fundit u mbajt para 2 ditësh, por udhëzimi që do të duhet të përcaktojë procedurat që do të ndiqen në këtë rast, nuk u miratua. Me herët, përfaqësues të institucioneve shtetërore, kanë thënë për TV SCAN se janë në pritje të këtij udhëzimi për të aplikuar skemën, ndërkohë që pasojat e kësaj vonese i vuajnë operatorët e transportit, të cilët po përballen me çmime të larta të karburantit.
Sipas draftit që iu është paraqitur më herët operatorëve, parashikohet se rimbursimi i naftës do të bazohet te konsumi i deklaruar nga vetë operatorët në periudhën prill – qershor të vitit 2021.
Po ashtu, drafti parashikon se subvencionimi do të jepet çdo muaj, edhe pse sipas përfaqësuesve të këtij sektori do të ishte më mirë që vlera të jepej njëherësh për të tre muajt e premtuar
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.