Qeveria lejon vaksinën ruse dhe kineze. Akti normativ/Do përdoret çdo vaksinë anticovid-19 e certifikuar nga vendet që e prodhojnë
Qeveria shqiptare i ka hapur rrugën përdorimit të vaksinave anticovid-19, që nuk janë të certifikuara nga agjencia amerikane dhe europiane e barnave. Përmes, një Akti Normativ, që mban datën 12 mars, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa ndryshime, në aktin e mëparshëm që rregullon procedurat për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid-19, si dhe përodrimin e tyre në popullatë. Sipas ndryshimeve, tashmë vaksinat anticovid-19 aprovohen për përdorim në popullatë bazuar në aprovimet e Agjencisë së Barnave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian ose të trupave të tjera certifikuese të vendeve që prodhojnë vaksina anticovid-19. Përfshirja e trupave të tjerë certifikues në legjislacionin tonë, i hap rrugë futjes edhe të vaksinave të tjera, sikurse mund të jenë vaksina ruse apo ajo kineze. Ky është një ndryshim i fortë në qëndrimin e qeverisë shqiptare, që deri më tani ka qenë e vendosur të mos lejojë përdorimin e këtyre vaksinave, teksa më herët kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj një postimi të ambasadës së Rusisë në Tiranë, ku thuhej se Rusia është e gatshme të sjellë vaksinën e saj “Sputnik V” në Shqipëri. Rama e quajti këtë postim të papërshtatshëm dhe provokim, ndërsa shtoi se nuk i shkon një shteti serioz si Rusia të përfshihet në prodhimin e memeve. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, ky është një provokim qesharak nga shteti rus, ndërsa shtoi se mirëpret një ndjesë nga ambasada ruse. Zbutja e toneve, ndaj vaksinave të pa certifikuara ishte vënë re edhe në deklaratat e ditëve të fundit, në kushtet kur edhe dërgesat e kompanisë Pfizer, po ecin me rritme të ngadalta. Deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur 32565 doza të kësaj vaksine, si dhe 38 400 doza të vaksinës Astra Zeneca, si pjesë e mekanizimit COVAX.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.