Qeveria miraton ngritjen e 4 Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit – Zëvendësojnë bordet rajonale

Katër drejtori të ujitjes dhe kullimit të ujërave do të krijohen nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Këshilli i Ministrave vendosi për ngritjen e këtyre strukturave, të cilat do të administrojnë rrjetin e ujitjes dhe kullimit.
Ndërkohë, shfuqizohet vendimi për bordet rajonale të kullimit, të cilat do të vijojnë punën deri në ngritjen dhe funksionimin e plotë të drejtorive të reja.
Më poshtë lista me drejtoritë dhe zonat e shërbimit të ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja të cilat do të kalojnë në administrim të tyre:
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë: Zona e shërbimit përfshin qarqet Lezhë, Shkodër dhe Kukës;
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Durrës: Zona e shërbimit përfshin qarqet Durrës, Tiranë dhe Dibër;
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Fier: Zona e shërbimit përfshin qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër;
- Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Korçë: Zona e shërbimit përfshin qarqet Korçë, Elbasan dhe Berat.
Detyrë tjetër e këtyre drejtorive do të jetë edhe planifikimi i nevojave të zonës së shërbimit në ndërtim, mirëmbajtje dhe rehabilitim të infrastrukturës, duke u koordinuar me bashkitë dhe organet e tjera përkatëse të menaxhimit të burimeve ujore, emergjencave civile, mbrojtjes së mjedisit, etj.
Krijimi i këtyre strukturave vjen në një kohë kur qeveria ka premtuar se brenda dy vitesh do të mundësohet ujitje për mbi 1 mijë familje dhe pastrimi i 7800 km kanale kulluese.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.