Qeveria ndryshon vendimin për dëmshpërblimin e fundvitit

Vetëm 12 ditë nga miratimi i vendimit për fondin e shpërblimeve të fundvitit për pensionistët dhe kategoritë në nevojë, qeveria ka miratuar ndryshime në vendimin e mesit të dhjetorit të këtij viti. Në mbledhjen e fundit, qeveria ka ndryshuar vendimin që parashikon dhënien e një shpërblimi në masën 2 mijë lekë për personat që trajtohen me pagesë paaftësie dhe me ndihmë ekonomike.
Për këto kategori, fondi i planifikuar në total është 439 milion lekë. Në vendimin e parë parashikohej që ky fond të përballohej nga buxheti i ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, zëri “Ndihma ekonomike dhe pagesa e paaftësisë”. Por me vendimin e ri, nuk do të jetë buxheti i kësaj ministrie ai i cili do të përballojë i vetëm këtë fond. Referuar vendimit të fundit të qeverisë, që mban datën 28 dhjetor, ministria e Mirëqenies Sociale do të përballojë vetëm gjysmën e këtij fondi, pasi pjesa tjetër do të mbulohet nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit dhe fondi i kontigjencës.
Me vendimin e ri, për fondin 439 milion lekë që po përdoret për shpërblimet e kategorive në nevojë, vetëm 227 milion lekë do të përballohen nga ministria e Mirëqënies Sociale ndërsa pjesa tjetër, prej 212 milion lekësh do të mbulohet përkatësisht në masën 90 milion lekë nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe në masën 122 milion lekë nga fondi i kontingjencës.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.