Qeveria pritet të votohet në mesnatë

Deputetët opozitarë kanë paralajmëruar se do të japin mendimin e tyre në sallën e Parlamentit për Qeverinë e re. Aty pritet të flasin edhe përfaqësuesit e pozitës dhe Kryeministri i ri, Ramush Haradinaj. Secili deputetë ka nga dhjetë minuta kohë derisa votimi i Qeverisë pritet të ndodhë pas mesnatës nëse nuk e shtyjnë seancën për të dielën, raporton Gazeta “Ekspres”
Asnjë problem nuk do të kenë deputetët e Listës Sprksa për të marrë pjesë në seancën e Parlamentit të Kosovës për të votuar qeverinë që fillon sot në orën 16:00. Kjo për shkak se në seancë pritet të flasin të paktën deputetët opozitarë. Deputetët serbë ndodhen sot në Beograd dhe mund të vijnë në kohë në Prishtinë për ta votuar Ramush Haradinajn si kreun e kabinetit qeveritar.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, secili deputet ka nga dhjetë minuta për të dhënë mendimin lidhur me Qeverinë e re. Zyrtarët e Vetëvendosjes dhe të LDK-së kanë paralajmëruar se deputetët e tyre do të flasin në seancën plenarë për votimin e Qeverisë. Llogaritur në kohë, nëse secili deputet shfrytëzon kohën maksimale të lejuar, atëherë, vetëm koha e fjalimeve të deputetëve të LDK-së e Vetëvendosjes do të marrë rreth dhjetë orë.
Sidoqoftë, zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, kanë thënë se fjalimet e deputetëve mund të shkurtohen në kohë vetëm nëse seanca vendos për një gjë të tillë. Në të kundërtën, secili deputet do të ketë nga dhjetë minuta për debat.
Seanca për votimin e Qeverisë është caktuar pas konstituimit të Parlamentit, i cili ishte i bllokuar më shumë se dy muaj, për shkak se PDK-AAK e NISMA nuk arrinin të bënin numrat e nevojshëm.
Haradinaj pritet të votohet Kryeministër në një Qeveri me vetëm 62 deputetë. Deri më tani është sqaruar se PDK do të ketë 6 ministri; AAK dy; AKR katër; NISMA tre ministri; Lista Srpska me minoritetet katër.
Gjithsesi pritet të jenë pesë Zëvendëskryeministra. Sikurse edhe viteve të kaluara, edhe e tani qeveria është më e madhja në rajon me 19 Ministri e pesë Zëvendëskryeministra. Ndërkaq, nuk dihet sa Zëvendësministra do të jenë për shkak se s’ka ende ligj për qeverinë, përderisa Kryeministri mund të emërojë sa të dojë zëvendës të Ministrave.
Qeverinë e fundit e ka udhëhequr LDK në një koalicion me PDK-në. Kjo Qeveri u rrëzua edhe me votat e PDK-së me arsyetimin se kishte dështuar të merrte vendime të mëdha për Shtetin përfshirë demarkacionin me Malin e Zi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.