Qeveria rrit shpenzimet – Por buxheti ngelet në suficit për 4-mujorin
Qeveria shqiptare rriti shpenzimet gjatë muajit prill, ndërsa suficiti buxhetor u ngushtua në rreth 3.3 miliardë lekë. Njëlloj si në pjesën e parë të vitit të kaluar, buxheti po ruan një tepricë të të ardhurave kundrejt shpenzimeve, por suficiti është rreth tre herë më i ulët krahasuar me katërmujorin e parë 2017.
Suficiti i përkohshëm buxhetor lidhet me ecurinë relativisht të ngadaltë të shpenzimeve në pjesën e parë të vitit, sidomos në pjesën e investimeve, që në katër muajin ishin rreth 18.3 miliardë lekë.
Megjithëse shpenzimet kapitale janë rritur me afro katër miliardë lekë krahasuar me vitin e kaluar, shpërndarja e tyre gjatë vitit është shumë larg të qenit e njëtrajtshme.
Për vitin 2018, janë planifikuar 86 miliardë lekë investime publike dhe në katër muaj janë realizuar vetëm 21% e tyre. Me ritme shumë të ngadalta po ecën edhe kompensimi i pronarëve, ku për katër muajt e parë të vitit janë shpenzuar vetëm 8% e katër miliardë lekëve të planifikuara në buxhetin vjetor.
Zëri që po ecën me hap më të shpejtë se parashikimet është ai i shpenzimeve për pushtetin vendor, me 17.5 miliardë lekë ose 35% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Këtë vit, buxheti parashikon një deficit prej 32 miliardë lekësh, që duke shtuar edhe rreth tre miliardë lekë të suficitit në katërmujorin e parë, priten të shpenzohen më tej gjatë vitit, çka do të përkthehet në një kontribut më të lartë të sektorit publik në ekonomi.
Në uljen e suficitit buxhetor gjatë muajit prill ndikoi pjesërisht edhe rritja e dobët e të ardhurave. Të ardhurat totale në buxhet për katërmujorin e parë të vitit arritën vlerën e 143 miliardë lekëve, me një rritje prej rreth 2.3% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat tatimore u rritën me rreth 3.5%, por një efekt negativ dhanë rënia e të ardhurave nga ndihmat dhe të ardhurave jo tatimore.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.