Qeveria shqiptare jep para në dorë për krizën! Kush përfiton nga paketa me 7 masa: Rriten pensionet, ndryshojnë pagat. Rimbursim për biletat e urbanit
Qeveria shqiptare ka miratuar një paketë me 7 masa për të përballuar rritjen e çmimeve me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë. Në listën e masave janë dhënia e parave në mënyrë direkte përmes injektimit direkt apo përmes uljes së taksave, me qëllim që të rëndojë më pak rritja e çmimeve. Në listën e masave është indeksimi me 1 mijë lekë i pensioneve për 637 mijë pensionistë. Po ashtu, për 434 mijë përfitues të ndihmës ekonomike do të ketë një shtesë prej 3 mijë lekësh. Përata që punojnë, do të hyjë në fuqi para kohë ndryshimi i tatimit mbi pagën, ku pagat deri në 40 mijë lekë nuk do të kenë asnjë taksë, ndërsa ata me pagë mbi 50 mijë lekë do të kenë përgjysmim. Për pagat e larta, mbi 150 mijë lekë do të ketë ulje të taksës.
Po ashtu, është rritur fondi për rimbusrimin e energjisë për familjet dhe bizneset dhe për fermerët është rritur me 5 miliardë lekë fondi për mbështetjen me naftë pa taksa.
Paketa e Rezistencës Sociale me shtatë pika
1- 3.6 miliardë lekë ose 36 milionë USD, për indeksimin e menjëhershëm të pensioneve. Kjo masë do të reflektohet që në pensionin e radhës së 673.542 pensionistëve.
2- Për 434 mijë përfitues, do të kompensohet me lekë në dorë rritja e çmimeve të shportës, e cila bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra.
Qeveria do të japë 30 mijë lekë të vjetra, për 3 muaj rresht, për këto kategori:
-Pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale
-Pensionistë të invaliditetit
-Pensionistë që jetojnë vetëm
-Persona me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër
-Të gjitha familjet që janë aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike
3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë.
4 – Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit.
5 – Afrojmë dy muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e takses mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të reja.
Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar.
Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin në rajon, 56%!
6 – Afrohet dy muaj përpara edhe futja në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
7 – Shtohet me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimi i mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.