“Qeveria të jetë efikase” – Ekspertët komentojnë ndryshimet strukturore në institucione

Ndryshimet në strukturat e dikastereve qendrore duhet të sjellin një rritje të efikasitetit të tyre në shërbim të qytetarëve. Kështu shprehen ekspertët e Ekonomisë, Adrian Civici dhe Arben Malaj për TV SCAN. Sipas tyre, të pasurit një qeveri “të vogël” nuk do të thotë numër të ulët të ministrive, por shpenzime publike më pak dhe eficencë më të lartë në shërbime.
“Qeveri e vogël nuk do të thotë vetëm shkurtim i numrit të ministrive ose i personelit. Qeveria e vogël në kuadrin e vet është shumë tendencave ndërkombëtare, ka të bëjë me një qeveri që zvogëlon kompetencat e saj për t’i lënë hapësira më të mëdha lirisë individuale, tregut dhe gjithë faktorëve të tjerë. Në rastin e kësaj reforme, nuk mendoj se është tipikisht objektiv për të patur një qeveri më të vogël, por për të pasur një qeveri dhe një qeverisje më eficiente. Dhe në këtë sens, kalojmë në versionin e dytë të këtij lloji tipi reformash që bëhet, për të eliminuar paralelizma, për të eliminuar ngarkesën e tepërt të institucioneve, inspektorateve, apo strukturave të ndryshme, pra për të krijuar një qeveri më të përqendruar, më të grupuar dhe më eficiente”, u shpreh eksperti Adrian Civici.
“Qeveria e vogël ka të bëjë: sa janë totali i shpenzimeve, sa prej 100 lekëve që prodhohen në ekonomi shpenzohen nga qeveria, dhe e dyta që është më e rëndësishme, sa qeveria ndërhyn me ligjet e saj dhe rregullimet në proceset e biznesit. Në këtë këndvështrim, e para duam të theksojmë se në raport me GDP-në, qeveria shqiptare do të rritet, sepse shërbimet publike: arsim, shëndetësi, infrastrukturë, ambjent, duhet të jenë më të mira. Kështu që ne duhet të mbledhim më shumë para, t’i harxhojmë ato me konceptin që u theksua dhe në formimin e qeverisë (me pak lekë të marrësh më shumë produkt) dhe e dyta, njerëzit duhet të ndiejnë në jetën e tyre të përditshme pikërisht këtë cilësi të re të shërbimeve publike”, u shpreh Malaj.
Ndërsa lidhur më dy “superministritë”, ekspertët rekomandojnë ndërthurje të funksioneve, përmirësim të legjislacionit dhe rregulloreve.
“Riorganizimet e shpeshta është mirë që të menaxhohen. E dyta, një riorganizim është një proces, pra fillimisht është koncepti i kryeministrit se si do ta organizojë qeverinë, ka rishpërndarje funksionesh, ka bashkime pjesësh të ministrive të ndryshme në ministritë e tjera dhe bërja efektive e qeverisë kërkon që ky proces të jetë i studiuar sa më mirë, që ky proces të jetë i qartë për çdo strukturë qeveritare që do të përfshihet në rishpërndarje apo në rigrupime dhe e treta do të jetë një test real për administratën publike shqiptare”, u shpreh Malaj për SCAN.
“Në fakt është një riorganizim i strukturave qeverisëse në funksion të rritjes së eficiencës, në funksion të një kontrolli dhe koordinimi më të mirë të faktorëve kryesorë dhe tentativa për të përputhur më mirë objektivat kryesore dhe sfidat që ka në pesë ose në dhjetë vjetët e ardhshme zhvillimi ekonomiko-social i Shqipërisë me institucionet, apo siç i quajmë ne rëndom me ministritë apo dikasteret përkatëse”, u shpreh Civici.
Vetëm pak ditë më parë Kreu i qeverisë Edi Rama paraqiti strukturën e re të qeverisë për 4 vitet e ardhshme, ndërsa pritet që javën tjetër ky kabinet të miratohet në Parlament dhe më pas të dekretohet nga Presidenti i Republikës.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.