Qeverisja dixhitale, Shqipëria me zhvillim të lartë – Raporti i OKB, jemi të dytët në rajon pas Serbisë, përmirësim me 15 vende
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka publikuar raportin e vitit 2020 të qeverisjes dixhitale, ku rendit vendet e botës, mes të cilave edhe Shqipëria për nga niveli i zhvillimit në këtë drejtim. OKB sqaron se të gjitha vendet e botës duhet t`i japin rëndësi zhvillimit të qeverisjes digjitale. Shqipëria në këtë renditje globale, pozicionohet në vendin e 59-të, dhe në vlerësim merret platforma “shqipëriaqëduam.al”. Vendi ynë klasifikohet ndër ata me zhvillim të lartë të qeverisjes digjitale.
Në raportin e kaluar, atë të 2018-ës, Shqipëria renditej e 74-ta. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet vetëm një pozicion më poshtë se Serbia, pra e dyta, ndërkohë që Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina janë më poshtë në renditje. Kosova, duke qenë se nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk është marrë në analizë. Bazuar në tre indikatorët kyç për matjen e indeksin të përgjithshëm, vendi ynë performon më mirë në atë të shërbimit online.
Pikë të larta merr edhe indikatori i kapitalit njerëzor, ndërkohë që lë për të dëshiruar indikatori i tretë, ai i infrastrukturës së telekomunikacionit, rrjedhojë e drejtpërdrejtë e penetrimit mjaft të ulët në popullsi të internetit me brez të gjerë, pra internetit fix në shtëpi. Në nivel global, në vend të parë sa i përket qeverisjes dixhitale, e cila në tërësi i referohet përfshirjes së qytetarëve në qeverisje, jo vetëm nëpërmjet ankesave por edhe nëpërmjet propozimeve apo këshillave, renditet Danimarka.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.