Qeverisja e bankave – BSH propozon rregulla të reja
Banka e Shqipërisë ka përgatitur projekt-rregullore të reja për të forcuar qeverisjen e bankave dhe pavarësinë e strukturave të kontrollit. Në rregulloren për sistemin e kontrollit të brendshëm, propozohet që kryetari i Komitetit të Kontrollit brenda bankës të jetë detyrimisht edhe anëtar i Këshillit Drejtues.
Për të parandaluar konfliktin e interesit, ky funksionar nuk duhet të ketë marrëdhënie interesash private me aksionerët apo drejtuesit ekzekutivë të bankës. Njëkohësisht, anëtarët e Komitetit të Kontrollit mund të jenë njëkohësisht edhe anëtarë të Këshillit Drejtues, por kjo nuk do të jetë e detyrueshme, si në rastin e kryetarit.
Banka e Shqipërisë gjithashtu ka propozuar disa ndryshme në rregulloren për parimet bazë të drejtimit të bankave dhe të emërimit të administratorëve të tyre. Ndryshimet në rregullore përqendrohen kryesisht në forcimin e pavarësisë dhe rëndësisë së njësisë të administrimit të rrezikut brenda bankës.
Ndërkohë, ndër kriteret për emërimin e administratorëve të bankave, veç atyre të natyrës etike dhe profesionale, shtohet edhe një dispozitë e veçantë: bankat duhet të vërtetojnë se administratori i propozuar nuk ka kredi me probleme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.