Qeveritë në Eurozonë, Eurostat: Deficiti publik i 19 vendeve bie në 1.5%, borxhi në 88.9%

Deficiti dhe borxhi publik në 19 vendet e valutës së përbashkët ka rënë gjatë vitit 2016. Deficiti në raport me Produktin e Brendshëm Bruto ra nga 2.1% që ishte për vitin 2015, në 1.5% në 2016-ën. Për nivelin e borxhit, zyra e statistikave e Bashkimit Europian, raporton se ka rënë në 88.9%, nga 89.9%.
Ndër vendet që rezultuan në suficit publik, ishin Luksemburgu, me një normë prej 1.6%, ndjekur nga Suedia dhe Gjermania me 1.1% dhe 0.8% në mënyrë respektive.
Ndër vendet problematike që thyejnë kriteret e konvergjencës në Eurozonë, mbetet Spanja, me normën më të lartë të deficitit buxhetor prej 4.5%, ndjekur nga Franca me 3.4%.
Nga të dy qeveritë ka patur premtime në uljen e shpenzimeve për të arritur një nivel më të ulët se 3%, që është edhe limiti i caktuar nga Bashkimi Europian.
Qeveria e presidentit Emmanuel Macron ka premtuar se do të ulë shpenzimet në nivelet më të ulëta për këtë dekadë, duke caktuar një objektiv për deficitin publik në 2.9% të PBB këtë vit dhe 2.6% vitin që vjen.
Mbi nivelin e borxhit, Eurostat raportoi se norma më e ulët e borxhit qeveritar në raport me Produktin e Brendshëm Bruto qëndron në Estoni, me 9.4%, ndjekur nga Luksemburgu dhe Bullgaria, me 20.8% dhe 29% në mënyrë respektive.
Ndër vendet që bartin nivelin më të lartë të borxhit vazhdon Greqia me 180.8 %, ndjekur nga Italia me 132%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.