QKB mundëson shërbimin e gjurmimit të licencimeve – Shërbimi pa pagesë, i menjëhershëm dhe me një procedurë shumë të thjeshtë online
Çdo individ ose biznes mund të gjurmojë statusin e aplikimit të kryer prej tij në Qendrën Kombëtare të biznesit përmes disa hapave shumë të thjeshtë. Mundësia e gjurmimit të licencimeve është shërbimi i ri i ofruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit.
Bëhet fjalë për një shërbim elektronik, i cili mundëson verifikimin e statusit të çështjes, pasi subjekti ka kryer aplikimin pranë sporteleve të QKB-së ose nëpërmjet sportelit elektronik (online). Çdo individ ose biznes mund të gjurmojë statusin e aplikimit të kryer prej tij në QKB duke plotësuar fushën e numrit të çështjes.
Për ta bërë këtë i nevojitet dokumenti i identifikimit të kërkuesit – kartë identiteti ose pasaportë biometrike (I nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania). Sa për hapat që duhen ndjekur, QKB sqaron: së pari identifikohuni në portalin qeveritar e-albania.al si qytetar apo si biznes. Së dyti Klikoni butonin “Përdor” dhe plotësoni fushën e numrit të çështjes.
Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është e menjëherëshme, ndërkohë që shërbimi nuk parashikon asnjë kosto financiare.
Paralelisht, në Fletoren Zyrtare janë publikuar edhe një seri ndryshimesh në ligjin “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, të ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Financave dhe Ekonomisë e të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Një pjesë e mirë e ndryshimeve prekin rregullat e licencimeve të subjekteve që operojnë në sektorin e shërbimeve shëndetësore.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.