“Qortimi i rrallë mbretëror” – Mbreti i Suedisë kritikon autoritetet për mosvënien e karantinës
Mbreti i Suedisë ka thënë që strategjia kundër karantinimit të vendit ka dështuar, pasi spitalet në rajonin e Stokholmit paralajmëruan se po dështojnë të përballojnë një rritje të rasteve dhe sondazhet treguan se besimi i publikut tek autoritetet kishte rënë në një minimum të ri.
“Populli i Suedisë ka vuajtur jashtëzakonisht shumë në kushte të vështira,” i tha mbreti Carl XVI Gustaf transmetuesit shtetëror SVT në një intervistë të fundvitit. “Mendoj se kemi dështuar. Ne kemi një numër të madh të njerëzve që kanë vdekur, dhe kjo është e tmerrshme. ”
Qortimi i rrallë mbretëror erdhi pasi dy rajonet kryesore suedeze të Stokholmit dhe Skåne njoftuan se ishin detyruar të shtynin operacionet jo-emergjente pasi sektori shëndetësor i vendit tensionohet për t’u marrë me një valë të dytë të infeksioneve.
Vdekjet totale të shoqëruara nga Covid në Suedi, e cila ka shmangur bllokimet e rrepta të detyrueshme në favor të masave kryesisht vullnetare, arritën 7,802 të Mërkurën, me më shumë se 500 në javën e fundit dhe më shumë se 1,800 që nga fillimi i Nëntorit.
Numri i saj për milion banorë është 766.2 vdekje, afërsisht 10 herë më i lartë se Norvegjia dhe Finlanda fqinje dhe gati pesë herë ai i Danimarkës, por më i ulët se disa vende evropiane që vendosën bllokime të ashpra si Franca, Italia, Spanja dhe Britania.
D.B – SCAN
Burimi: The Guardian
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.